Administrata amerikane, si shenjë e pakënaqësisë së presidentit Donald Trump ndaj disa aleatëve të NATO-s, ka vendosur të mos ftojë disa prej tyre në një takim që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm në Poloni, thanë gjashtë diplomatë të njohur me planifikimin. Mes vendeve të lëna jashtë janë Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe shtetet baltike. Takimin, të organizuar nga shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, e kanë për qëllim diskutimin e së ardhmes së Aleancës dhe forcimin e kapaciteteve të saj.
Përjashtimi ka shkaktuar pikëpyetje dhe shqetësim te diplomatët e vendeve të mosftruara. Një zyrtar i një vendi anëtar tha: “Po bëjmë gjithçka që na kërkojnë të bëjmë. Po përpiqemi të kuptojmë se cilat janë kriteret dhe cili është qëllimi i këtyre takimeve. Deri më tani, ata nuk na kanë përcjellë shumë.” As Shtëpia e Bardhë dhe as Pentagoni nuk kanë komentuar.
Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij e kanë kritikuar vazhdimisht disa vende të NATO-s për nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen dhe për qëndrimin ndaj politikave amerikane. Në një postim në Truth Social, ai shkroi se NATO-n e ka konsideruar gjithmonë si “një rrugë me një drejtim”, duke theksuar që SHBA-ja shpenzon qindra miliarda dollarë për mbrojtjen e aleatëve. Sipas raportimeve, Shtëpia e Bardhë kishte shqyrtuar mundësinë e krijimit të një liste me aleatë që mbështesin prioritetet e administratës dhe të tjerë që nuk i përmbushin ato. Një qasje e ngjashme është mbështetur edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për më shumë kontribut dhe përputhje me interesat amerikane.
Takimi në Poloni vjen pas dy mbledhjeve të ngjashme — të njohura si “Grupi i Bergenit” — ku morën pjesë Norvegjia, Suedia, Finlanda, Polonia, Gjermania dhe Holanda. Pjesëmarrësit mohojnë se synohet krijimi i një ndarjeje brenda NATO-s dhe thanë se grupi synon të hartojë propozime për Aleancën. Një diplomat tha: “Kjo mund të veprojë si një motor transformimi.” Megjithatë, përjashtimet kanë nxitur zemërim, ndonëse disa vende të lëna jashtë kanë përmbushur ose tejkaluar objektivat e shpenzimeve. Danimarka mund të shtohet në grup pas marrëveshjes për zgjerimin e pranisë amerikane në Grenlandë. Colby, pas takimit të parë në Bergen, tha se “aleatët që po përmbushin shpejt angazhimet për shpenzimet e mbrojtjes dhe janë të gatshëm të nisin punën kanë kapacitetin për të kontribuar.” Një diplomat paralajmëroi se ndarja e NATO-s në “njerëz të mirë dhe njerëz të këqij” mund të shkaktojë probleme serioze: “Nëse ata përpiqen ta ndajnë NATO-n në njerëz të mirë dhe njerëz të këqij, kjo është e rrezikshme për Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, për Evropën është çështje ekzistence.”

