Arben Shehu, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në një intervistë për gazetaren Anila Hoxha të Top Channel, deklaron se shume auditime të tjera po përgatiten për t’u dorëzuar në Prokurori dhe se lista e hetimeve të nisura është e gjatë. Ai thotë se KLSH është në proces verifikimi intensiv për asetet, duke iu referuar veçanërisht punës së Ministrisë së Energjisë dhe KESH. Mes auditimeve në vijim përmenden rruga Thumanë–Fushë Krujë–Kashar, vendburimet e naftës, Drejtoria e Burgjeve, vendshfrytëzimet e kromit, si dhe auditime të HEC-eve, mbështetjes bujqësore dhe sistemeve fotovoltaike.
Shehu nënvizon gjithashtu që po kryhen verifikime për kryerjen e analizave të biopsisë dhe monitorimin e substancave të rrezikshme. Nga auditimet e përfunduara, ai citon atë të kontratës së seteve kirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, të Shërbimit të Kontrollit Mjekësor Bazë dhe të Korporatës së Investimeve Shqiptare, që sipas tij kanë një rëndësi të veçantë. Sipas Shehut, puna e KLSH nuk përfundon me auditimin: për rastet që vlerësohet se ka shkelje, dosjet i referohen Prokurorisë, në mënyrë të veçantë SPAK-ut, me të cilin institucionet janë klasifikuar si bashkëpunuese në raportet e auditimit.
Ai thekson se dosjet që i referohen Prokurorisë mbeten sekrete deri në finalizimin e tyre me të akuzuar, dhe përmend se ka edhe denoncime ndaj personave që ushtrojnë presion ndaj audituesve. Për situatat e tilla, Shehu thotë se do t’u drejtohen institucioneve përkatëse dhe garanton se puna e institucionit nuk është cenuar nga çdo lloj presioni, të çdo forme. Në përgjigje të pyetjes së Hoxhës nëse bëhet fjalë për presione konkrete, Shehu konfirmon se “patjetër që për presione konkrete”, por shton se këto nuk do të ndikojnë në punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

