Rusia ka dërguar një protestë zyrtare NATO-s, përmes ambasadës së saj në Belgjikë, duke e cilësuar si “aventuriere dhe të papërgjegjshme” sjelljen e Aleancës dhe paralajmëruar rritjen e rrezikut për një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake. Letra i referohet ushtrimeve të NATO-s që, sipas Moskës, synojnë simulimin e “izolimit” të enklavës së Kaliningradit. Në dokument, Rusia paralajmëron se zhvillime të tilla “rrisin ndjeshëm rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë të armatosur” dhe përsërit gatishmërinë e saj për t’u mbrojtur, përfshirë përdorimin e gjithë arsenalit ushtarak në dispozicion.
Ambasada ruse, sipas agjencisë italiane Ansa, akuzon NATO-n për zhvillimin e një “fushate informacioni në shkallë të gjerë” që përhap, siç thuhet, mitin e “kërcënimit rus” dhe raportime të pasakta se Moska mund të sulmojë një shtet baltik deri në vitin 2029 ose më herët. Dokumenti shpreh shqetësim se po përgatiten plane për evakuim ndërkufitar të popullsisë “në rast të një krize serioze”, ndërsa deklaratat e zyrtarëve rusë për mungesë të qëllimit për të ndërmarrë veprime ushtarake po injorohen.
Rusia thotë se propozimet e saj për të marrë garanci të shkruara të ndërsjella të sigurisë nuk janë trajtuar në të njëjtën mënyrë. Në deklaratë thuhet se, për shkak të qëndrimit që konsiderohet agresiv nga udhëheqja e bllokut dhe disa shtete anëtare, Ambasada i ka komunikuar orientimet parimore Sekretariatit Ndërkombëtar të NATO-s dhe Ministrisë së Jashtme belge. Moska u ka kërkuar shteteve anëtare të Aleancës të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën, me qëllim shmangien e një konfrontimi në shkallë të plotë.
NATO ka konfirmuar marrjen e letrës së Moskës dhe ka përgjigjur ndaj saj. Aleanca ka dënuar kërcënimet ruse për përdorimin e forcës dhe ka ritheksuar se natyra e saj është mbrojtëse.

