Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, po çon përpara idenë për ndryshimin e dy ambasadorëve shqiptarë në vendet fqinje, Shkup dhe Prishtinë. Një anëtar i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme i tha gazetarëve se më 9 tetor në këtë komision parashikohen dy dëgjesa, të cilat konsiderohen si rokadë ambasadorësh.
Denion Meidani, aktualisht ambasador në Shkup, do të dëgjohet si i propozuar për të drejtuar misionin diplomatik të Shqipërisë në Prishtinë. Ndërsa Petrit Malaj, që prej tre vitesh mban postin e ambasadorit në Kosovë, do të paraqesë në komision platformën për drejtimin e ambasadës shqiptare në Shkup. Për momentin nuk është e qartë pse ministri Hoxha ka propozuar këtë shkëmbim apo çfarë relacioni shoqërues e mbështet vendimin.
Origjina e këtyre ndryshimeve u bë publike për herë të parë në maj, kur Meidani u pa pranë protestave të studentëve në Shkup. Atëherë pati raportime që sugjeronin se ministri Hoxha ishte informuar me ankesa nga partia qeverisëse maqedonase VMRO dhe aleati i saj shqiptar VLEN lidhur me qëndrimet dhe rolin e ambasadorit Meidani në ato protesta. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar të pabazuara, dhe deklaroi se çdo vendimmarrje për emërime apo lëvizje diplomatike kryhet sipas ligjit dhe bazuar në analiza profesionale dhe institucionale, me synim përdorimin efikas të burimeve njerëzore dhe në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.
Këto nuk janë lëvizjet e vetme të stafit diplomatik. Javën e shkuar u zhvillua në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme dëgjesa me ambasadorin në Londër, Uran Ferizi, i cili i është besuar drejtimi i Misionit të Shqipërisë në OSBE në Vjenë. Ende nuk është vendosur se kush do të jetë ambasadori i ri i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Burimi: Top Channel.

