Policia e Shtetit ka nxjerrë planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Bjellorusisë, që zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”. Plani përcakton detyrat e të gjitha strukturave, duke u mbështetur në përvojën e mëparshme për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.
Për të lehtësuar qarkullimin dhe për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime qarkullimi në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit më 26.09.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes. Rrugët e bllokuara do të jenë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit); Rruga “Papa Gjon Pali II” te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Dervish Hima” pranë Ambasadës së SHBA-së; Rruga “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së; Rruga “Themistokli Gërmenji” në hyrje; Rruga “Ismail Qemali” te kryqëzimi i RTSH-së; Rruga “Lekë Dukagjini” pranë ish-Gardës së Republikës (koridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja); Rruga “Abdyl Frashëri” pranë kryqëzimit të Librit Universitar. Te sheshi “Ëillson” do të devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes. Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Para hyrjes në stadium, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve për të parandaluar futjen e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin.
Tifozët kërkohen të paraqiten në hyrjen e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi për shkak të fluksit pak para nisjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë. Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të ofruar ndihmë dhe informacion, me qëllim që aktiviteti të përmbyllet pa incidente.

