Një ekspozitë e dedikuar grave të Ballkanit dhe historive të tyre u çel mbrëmjen e kaluar në ambientet e Vilës 31. Përmes fotografive dhe videove të realizuara nga bashkëpunëtorët e AFP-së në rajon, ekspozita sjell portrete të grave të moshave dhe profesioneve të ndryshme, nga minierat deri te atelieret, duke ofruar dëshmi vizuale të jetës dhe punës së tyre.
Fotografi Adnan Beci thekson se pas çdo fotografie qëndron një histori individuale: “Pas çdo fotoje ka një histori të këtyre grave, që janë bërë me forcën e punës së vetë dhe kanë ndikuar në komunitetin ku jetojmë. I kemi përzgjedhur në tre breza të ndryshëm dhe tre profesione krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.” Kjo përzgjedhje gjeneracionale synon të tregojë ndryshimet dhe vazhdimësinë në përvojat e grave brenda komuniteteve të Ballkanit.
Organizatorët shpjegojnë se ekspozita lindi nga nevoja për të dëgjuar gratë e rajonit dhe për të shkuar përtej stereotifimeve që, sipas tyre, e kanë përcaktuar imazhin e këtyre grave në pjesë të tjera të Europës. Synimi është të çmontohen klishetë dhe të zbulohen të vërtetat që dalin nga rrëfimet vetjake të protagonistëve të ekspozitës.
Në këtë kuadër, Camille Bouissou e lidh iniciativën me dëshirën që zërat të jenë vetë ata që flasin për përvojat e tyre: “Të gjithë ishim të një mendimi se zërat e grave të këtij rajoni duhet të dëgjohen! Dhe jo me fjalët tona, por me fjalët e tyre. Ndaj donim që secila prej tyre të tregonte historinë e vet. Kam parë te secila prej tyre që ka një fuqi të jashtëzakonshme për të luftuar stereotipet.” Kjo qasje e bazohet në paraqitjen e rrëfimeve personale si mjet për të sfiduar perceptimet e përgjithshme.
Tematikisht, ekspozita ndërthur çështje të ndryshme që prekin jetën e grave: liria, pamja e jashtme, roli i të qenit nënë dhe aspektet ekonomike. Zërat e tyre ndërthuren për të vizatuar portretin e asaj që do të thotë të jesh grua në Ballkan dhe përtej tij. Titulli i ekspozitës është “Zëra të fuqishëm” – Gratë e Ballkanit – Forcë dhe trashëgimi, dhe ajo do të qëndrojë e hapur në vilën e ish-diktatorit deri më 2 tetor.

