Është mbajtur në Tiranë takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian. Kryetari i delegacionit të Bashkimit Evropian, Marco Tarquinio, u ndal te klima politike në vend, duke theksuar nevojën për një qasje më bashkëpunuese mes pozitës dhe opozitës, që të krijohet një klimë më e qetë për punën e përbashkët dhe për t’u dhënë sinjal vendeve të tjera se po punohet me ide miqësore. Ai theksoi se procesi i integrimit evropian kërkon koordinim të përpjekjeve të Shqipërisë dhe të Bashkimit Evropian, duke theksuar se me çdo zgjerim lindin çështje të reja dhe se përpjekjet duhet të jenë të koordinuara.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në negociata, duke e cilësuar si mbresëlënëse progresin në hapjen dhe negocimin e kapitujve. Megjithatë, ai nënvizoi se nuk mjafton vetëm miratimi i reformave, por duhet që ato të vihen në zbatim në terren, dhe se zbatimi i reformave mbetet çështje që kërkon ndjekje nga institucionet shqiptare. Tarquinio shtoi se kjo ndjekje dhe zbatimi takohen edhe me përgjegjësinë e zyrtarëve shqiptarë.
Ai po ashtu kërkoi angazhim më të madh nga institucionet që përfaqësojnë qytetarët dhe vendet anëtare të procesit të zgjerimit, duke deklaruar se po ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend. Tarquinio përmendi vijimin e kontakteve dhe takimeve ndërmjet institucioneve shqiptare dhe atyre evropiane, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të mendimeve dhe bashkëpunimit mes tyre.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai përmendi edhe çështje konkrete që ndiqen me interes, si ajo në lidhje me mundësinë e vendosjes së një objekti turistik në një vend të bukur dhe të rëndësishëm, dhe deklaroi se do të mbajnë vesh me vëmendje gjithçka që do të thuhet mbi këtë temë.

