Në Prishtinë, për të pestën natë me radhë vazhduan protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç raporton korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, protestuesit shpalosën flamur kombëtar me emblemën e UÇK-së dhe brohoritën “jo në emrin tim”. Para mijëra protestuesve foli veterani i luftës Bekim Shyti, i cili e cilësoi aktgjykimin si padrejtësi, duke theksuar rolin e të dëshmorëve dhe kontributin e udhëheqësve të UÇK-së: “Sot kemi gjithandej varreza të dëshmorëve, e kemi lirinë, por liria erdhi nga këta vizionarë, nga këta trima dhe burrështetas, sepse këta kishin guximin dhe vizionin që të formojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.”
Pjesë e protestës së dielën ishte edhe këngëtari Ledri Vula, i cili shprehu mirënjohjen për katërshen e UÇK-së dhe kritikoi dënimin e tyre: “Një falënderim për luftën që e kanë bërë këta njerëz të mëdhenj, që sot padrejtësisht janë dënuar. Faleminderit të gjithëve që keni ardhur”, tha Vula.
Të dielën u mbajtën protesta edhe në Shtime, ndërsa diaspora vazhdoi të organizojë protesta dhe të kërkojë drejtësi për ish-drejtuesit e UÇK-së, me protesta të raportuara në Vjenë të Austrisë dhe Triestë të Italisë. Në Prishtinë, studentët e universiteteve të Kosovës kanë paralajmëruar një protestë për ditën e hënë.
Vendimi i Gjykatës Speciale, i dhënë më 16 shtator, dënon me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Protestat në Prishtinë dhe në qytete të tjera vazhdojnë si reagim ndaj këtij aktgjykimi, me pjesëmarrje nga veteranë, artistë, studentë dhe anëtarë të diasporës. Top Channel.

