Raphinha do të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës deri në 2030. Deco këtë të shtunë në Asamblenë e klubit konfirmoi rinovimin e brazilianit dhe atë të të Xavi Espart dhe Marc Bernal. Kapiteni i blaugranave festoi lajmin duke shënuar 3 gola në fitoren e Barcelonës ndaj Sevillas në Sanchez Pizjuan.
Me këto 3 gola, Raphinha arrin në 12 gola të shënuar në kampionat në këtë fillim sezoni, një shifër që i mundëson të hyjë në histori. Sipas Opta, me këto shifra ai ka kaluar tashmë Lionel Messin, dhe i vetmi që ka statistika më të mira realizative për 7 ndeshjet e para të kampionatit në një sezon në shekullin XXI është Cristiano Ronaldo, i cili shënoi 13 gola në fillimin e sezonit 2014-15.
I shndërruar në një nr.9, Raphinha shkon në pauzën e ndeshjeve të kombëtares me statistika të jashtëzakonshme. Në këtë fillim sezoni, braziliani nuk ka shënuar vetëm ndaj Levantes në kampionat; në të gjitha ndeshjet e tjera ka shënuar të paktën një gol. Në këtë moment ai ka dy tregolësha radhazi. Në Sanchez Pizjuan Raphinha e pasuroi llogarinë personale të statistikave; goli i dytë i shënuar pas pasimit të Yamal ishte me kokë. Raphinha nuk ka luajtur kurrë si një nr.9 më parë, por në këtë fillim sezoni po shfaqet si një qendërsulmues i mirëfilltë.
Barcelona e pati shumë të qartë se kapiteni duhej të rinovonte me klubin, dhe sulmuesi e pranoi menjëherë sepse ndjehet i komod në skuadër dhe në qytet. Ai dëshiron jo vetëm të zgjasë kontratën me klubin blaugrana, por dëshira e tij është të mbyllë karrierën te Barcelona. Bisedimet mes palëve u intensifikuan të premten, dhe Deco, para anëtarëve të klubit, bëri të ditur se tashmë marrëveshja është arritur.

