Pas 21 vitesh në Kanada, Xhulio Vasiu rikujtoi fëmijërinë e tij në Lushnjë dhe vendosi ta tregoje atë për nipin e tij, Anxhelos, duke krijuar me inteligjencë artificiale disa video të shkurtra. Ato nisën si një histori familjare, por reagimi i nipit e nxiti që t’i ndajë edhe me të tjerë në Instagram, ku videot morën shpejt mijëra shikime dhe reagime.
Vasiu vërejti se në Shqipëri shumë fëmijë nuk kanë mundësi të shohin filma vizatimorë për jetën e fshatit dhe për traditat shqiptare, ndaj u përpoq t’i ofronte këtë përmbajtje të thjeshtë dhe të qasshme. Në videot e fundit ai paraqet elemente të drejtpërdrejta nga kujtimet e tij: shtëpinë ku ka jetuar nipi në fshat që në fakt është shtëpia e tij, lulet, lagjen ku u rrit dhe fëmijërinë që kaloi pranë dajave në fshat. Në njëfarë mënyre, personazhi që mban emrin e nipit përbën edhe një përshtatje të përvojës së tij personale.
Ndërsa audienca kërkonte më shumë përmbajtje, Xhulio vendosi që faqja të mos mbetej vetëm argëtuese, por të shërbente edhe si mjet edukimi. Ai synon t’u tregojë historinë shqiptare ndryshe, për të rritur dhe për fëmijë, përmes filmave vizatimorë të realizuar me inteligjencë artificiale. Para se të nisë ndërtimin e imazheve për çdo video, Vasiu lexon për ngjarjet historike përkatëse, për të siguruar që rrëfimi të ketë bazë historike.
Procesi i punës është i hollësishëm: çdo personazh, ambient dhe lëvizje ndërtohet hap pas hapi deri sa historia merr formën e një filmi të shkurtër vizatimor. Realizimi i një videoje njëminutëshe kërkon rreth dy orë punë intensive. Në planet e së ardhmes, ai synon të krijojë një website të dedikuar për fëmijët që të tregojë në mënyrë të thjeshtë historinë e trojeve shqiptare.

