Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka përmirësuar perspektivën për Shqipërinë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”, duke lënë të pandryshuar vlerësimin në nivelin Ba3. Në arsyetimin e saj, Moody’s përmend forcimin e financave publike, rritjen ekonomike dhe progresin në reformat strukturore si faktorë kryesorë që ndikuan në ndryshimin e perspektivës.
Sipas agjencisë, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të viteve të fundit. Pozicioni fiskal dhe ai i jashtëm janë përforcuar, dhe pritet që rritja ekonomike të vazhdojë në periudhën afatmesme, ndërsa borxhi publik të ulet në mënyrë graduale. Moody’s parashikon rritje reale të PBB-së prej 3.6% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027. Agjencia thekson se ekonomia shqiptare ka dëshmuar rezistencë ndaj efekteve të konfliktit në Lindjen e Mesme, falë mbështetjes pothuajse tërësore te energjia e rinovueshme.
Ministria e Financave citon parashikimet e Moody’s, sipas të cilave borxhi i qeverisjes së përgjithshme do të vazhdojë të ulet gradualisht, duke arritur 50.2% të PBB-së në vitin 2027, nga 52.9% në fund të vitit 2025. Një element tjetër i rëndësishëm që përmendet është përmirësimi i pozicionit të jashtëm: deficit i llogarisë korente u ngushtua në 0.7% të PBB-së gjatë vitit 2025, ndërsa investimet e huaja direkte vazhduan të mbulojnë plotësisht këtë deficit.
Moody’s vë në dukje se progresi i vazhdueshëm i reformave, i mbështetur nga këto përmirësime të financave dhe pozicioneve makroekonomike, ka potencialin të forcojë më tej profilin institucional dhe të qeverisjes së vendit. Për Ministrinë e Financave, vlerësimi i ri i Moody’s interpretohet si një tregues i stabilitetit makroekonomik dhe i përparimit në zbatimin e reformave.

