Presidenti amerikan Donald Trump publikoi pamjet e para të platformës së re të uljes së helikopterëve në Shtëpinë e Bardhë, një nga projektet e shumta të rinovimit që ai ka urdhëruar për modernizimin e rezidencës presidenciale. Heliporti ka një diametër prej rreth 30 metrash dhe është realizuar me granit në nuanca të zezë dhe të bardhë; në qendër është vendosur një vulë presidenciale prej graniti të zi.
Trump e përshkroi projektin si një “vepër arti” dhe shtoi se është krenar për rezultatin. Në postimin e tij në rrjetet sociale shkroi se “është punuar bukur nga graniti i gdhendur, në nuanca të së zezës dhe të bardhës” dhe pretendoi se platforma do të zgjasë “mbi një milion vjet”. Ai e lidhi punën me vizionin e tij për rikonstruksionin e Shtëpisë së Bardhë, duke deklaruar se në kohën e tij po rikthehet “bukuria dhe shkëlqimi” në nivele që sipas tij nuk kanë qenë as kur u ndërtua rezidenca në vitin 1792. Presidenti kritikoi gjithashtu gjendjen e mëparshme të Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se ajo ishte lënë në gjendje të keqe gjatë administratave të mëparshme dhe duke deklaruar “Tani është një pallat!”.
Në të njëjtën kohë vazhdojnë punimet për projektin e sallës së re të ballove, me vlerë të raportuar prej rreth 400 milionë dollarësh. Ky projekt parashikon ndërtimin e një hapësire prej rreth 88 mijë metrash katrorë në zonën ku më parë ndodhej Krahu Lindor, i cili u shemb me urdhër të Trump. Sipas administratës amerikane, rreth 65% e punimeve janë përfunduar dhe ekipet po punojnë me orare intensive, deri në 20 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Projekti i madh i rinovimit ka shkaktuar polemika dhe sfida ligjore; punimet u ndaluan më herët nga gjykatat, përpara se Gjykata Supreme e SHBA-së të lejonte vazhdimin e tyre në mënyrë të përkohshme. Administrata bën me dije se rreth 200 milionë dollarë në donacione private janë shpenzuar ose janë angazhuar tashmë për projektin. (Top Channel)

