Pentagoni ka pranuar se lufta me Iranin ka shkaktuar mungesa në rezervat amerikane të municioneve, duke konfirmuar shqetësimet e ngritura gjatë muajve të fundit për kapacitetet e arsenaleve të Shteteve të Bashkuara. Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes, i paraqitur në Kongres, bie në kontrast me deklaratat e mëparshme të administratës Trump, e cila në masë të madhe kishte hedhur poshtë raportimet për vështirësitë me rezervat e municioneve.
Raporti, i pari i këtij lloji i hartuar në mënyrë të detyrueshme për Kongresin, ndan të dhëna për kostot e operacionit ushtarak amerikan “Epic Fury”: ky operacion ka kushtuar rreth 33.4 miliardë dollarë gjatë periudhës 28 shkurt–30 qershor. Nga kjo shumë, rreth 22.3 miliardë dollarë janë shpenzuar vetëm për municionet e përdorura gjatë operacionit. Dokumenti evidenton ndikimin që konflikti ka pasur mbi rezervat ushtarake amerikane dhe thekson nevojën për rimbushjen e tyre.
Raporti vjen në një kohë kur presidenti Donald Trump ka deklaruar në platformën Truth Social se SHBA-ja po prodhon “më shumë armë të nivelit të lartë dhe elitar se në çdo periudhë tjetër të historisë së saj”, por gjetjet e Inspektorit të Përgjithshëm tregojnë presion mbi stoqet dhe shpenzime të konsiderueshme për municion.
Përplasjet dhe shpenzimet ushtarake po pasqyrohen gjithashtu në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës ka vijuar të rritet dhe ka kaluar nivelin e 103 dollarëve për fuçi, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e luftës mbi furnizimet globale dhe ekonominë. Rritja e çmimeve të energjisë vjen në një periudhë kur tregjet po përballen me pasiguri të lartë për shkak të zhvillimeve ushtarake dhe rrezikut për ndërprerje të furnizimeve me naftë.
Raporti i Pentagonit rikthen në qendër të vëmendjes kapacitetin e SHBA-së për të përballuar konflikte të zgjatura, veçanërisht sa i përket rezervave dhe prodhimit të municioneve, dhe nënvizon nevojën për masa rimbushjeje dhe menaxhimi të burimeve. Top Channel

