Revolta e sportisteve ka marrë përmasa virale pasi shumë atletë nga disiplinat e ndryshme, përfshirë sprintere, notare, gjimnaste dhe ragbiste, u shprehën kundër Sydney Sweeney për një reklamë të bastit sportiv. Ato akuzojnë aktoren amerikane për seksualizim të vajzave të sportit, duke theksuar se paraqitja e saj fokusohet te pamja dhe jo te arritjet sportive.
Spot-i për të cilin po bëhet polemika paraqet Sweeney-n tërësisht të zhveshur, duke mbuluar pjesët intime me objekte sportive. Aktorja, që tashmë është përfshirë në debate të shumta në SHBA, përfshi edhe çështje politike pas një reklame për xhinse, tashmë po përballet me reagime të shumta nga komuniteti sportiv për këtë imazh.
E para që reagoi ishte gjimnastja amerikane Gracie Kramer, e cila postoi në rrjetet sociale një foto të saj duke u stërvitur, shoqëruar me frazën: ‘Nuk e di se çfarë po bënte Sydney Sweeney, por ja si duken vajzat e sportit’. Kjo iniciativë u pasua nga sportiste të tjera në mbarë botën që postuan materiale të ngjashme, duke nxjerrë në pah trupin e punës së tyre dhe natyrën profesionale të angazhimit sportiv.
Një nga reagimet publike erdhi edhe nga atletja angleze Amy Hunt, katër herë kampione evropiane, e cila pas garës së 200 metrave në Budapest, në një intervistë për BBC Sport riktheu mesazhin: ‘Sydney Sweeney, ja si duken vajzat e sportit’. Shumë sportiste ndanë video të tyre duke garuar ose duke u stërvitur, si përgjigje ndaj paraqitjes së reklamës.
Notarja australiane Ariarne Titmus, katër herë kampione olimpike, e përshkroi spotin si një fyerje të drejtpërdrejtë: ‘Nuk është vetëm një goditje në fytyre për çdo grua që i ka dedikuar jetën në perfeksionimin e artit të saj, por për çdo grua që i pëlqen sporti për atë që është në të vërtetë’. Protesta vijon të përhapet ndër sportistet, të cilat synojnë të sfidojnë imazhet që fusin seksualizimin përpara njohjes së meritave dhe rezultateve profesionale.

