Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 10 vatra zjarri, të cilat janë shuar plotësisht. Aktualisht nuk ka vatra aktive dhe as vatra nën mbikëqyrje. Për menaxhimin dhe shuarjen e vatrave janë angazhuar në total 174 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 14 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 27 efektivë, 3 mjete dhe 1 ambulancë.
Në Qarkun Lezhë, vatra në fshatin Gallatë, Bashkia Kurbin, e ardhur nga territori i Bashkisë Mat, rezulton e fikur. Në Qarkun Elbasan, zjarri në Librazhd Katund, i cili preku bimësi me pisha, është shuar. Në Qarkun Gjirokastër, vatra në Bularat, Bashkia Dropull, është shuar pas angazhimit të strukturave vendore, policore dhe të Forcave të Armatosura; në operacion u përfshinë 18 efektivë të MZSH me 3 mjete zjarrfikëse, 8 forca bashkiake, 10 forca policore, si dhe 27 efektivë të Forcave të Armatosura me 3 mjete dhe 1 ambulancë.
Në Qarkun Dibër janë shuar vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë. Për operacionet u angazhuan forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, bashkive dhe vullnetarë. Në Qarkun Fier janë shuar vatrat në Bitaj, Bashkia Lushnje, dhe Rërës, Bashkia Patos.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

