Ambasada e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, me mbështetjen e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje për Integrimin në Bashkimin Evropian” (EUIS), organizoi në Berat një tryezë diskutimi me të rinjtë e qytetit. Ngjarja u mbajt në Qendrën Multifunksionale Rinore nën titullin “Shqipëria dhe Kroacia, të rinjtë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane” dhe u zhvillua në bashkëpunim me Unionin e Këshillave Studentorë të Shqipërisë.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Kroacisë, përfshirë Shkëlqesinë e Tij Zlatko Kramarić, Këshilltarë të Ambasadës dhe përfaqësues të projektit EUIS, si dhe drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të bashkisë së Beratit. Të rinjtë beratas diskutuan me pjesëmarrësit rreth rrugës evropiane të Shqipërisë, përfitimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përvojës së Kroacisë si shtet anëtar, përmendur si vendi i fundit i rajonit që ka përmbyllur procesin e anëtarësimit. Diskutimet iu përqendruan gjithashtu mundësive për të rinjtë, duke përfshirë arsimin, mobilitetin, punësimin, zhvillimin personal dhe pjesëmarrjen aktive në shoqërinë evropiane.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori Zlatko Kramarić theksoi: “E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet vetëm në Tiranë, perspektiva e të rinjve nga Berati dhe nga çdo qytet e komunitet tjetër i vendit është po aq e rëndësishme. Ky dialog është një mundësi jo vetëm për ta afruar informacionin mbi integrimin evropian me të rinjtë por edhe për të përcjellë më pranë institucioneve idetë, pritshmëritë dhe shqetësimet e tyre në lidhje me rrugëtimin evropian të Shqipëria.”
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Caca, u shpreh se: “Rruga e Shqipërisë drejt Evropës nuk është thjesht një destinacion që presim ta arrijmë. Është një udhëtim që po e ndërtojmë së bashku, hap pas hapi, me shpresë në zemër, vendosmëri në veprime dhe me të rinjtë në qendër të tij. Bashkia Berat i ka në fokus të rinjtë dhe përfshirjen e tyre në rrugën e evropiane, prandaj mbështet çdo iniciativë të tyre në këtë drejtim dhe jo vetëm.”
Tryeza në Berat shënoi nisjen e një serie aktivitetesh që do të zhvillohen me të rinjtë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë gjatë shtatorit, konkretisht në Kukës, Tiranë, Pogradec dhe Shkodër.

