Bashkimi Europian po përgatit rregulla të reja për qiratë afatshkurtra turistike, të ofruara përmes platformave si Airbnb dhe Booking, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve dhe mungesën e banesave të përballueshme. Propozimi i Komisionit Europian nuk parashikon një ndalim të përgjithshëm në të gjithë BE-në, por u jep autoriteteve kombëtare dhe vendore një bazë ligjore për të kufizuar qiratë ditore vetëm në zonat ku këto shërbime provohet se po rëndojnë krizën e strehimit.
Një zonë mund të konsiderohet nën “presion strehimi” kur çmimi mesatar i një banese është i barabartë me të paktën tetë vite të ardhura të disponueshme për frymë dhe raporti mes çmimeve dhe të ardhurave ka përkeqësuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Nëse blerja e një shtëpie kërkon mbi dhjetë vite të ardhura, situata mund të klasifikohet si kritike. Autoritetet duhet gjithashtu të marrin në konsideratë rritjen e popullsisë, numrin e banesave të disponueshme dhe raportin mes ofertës dhe kërkesës, dhe të provojnë se presioni mbi tregun nuk pritet të ulet brenda tre viteve të ardhshme.
Në zonat e identifikuara si nën presion strehimi mund të vendosen kufizime për numrin e apartamenteve turistike, rregulla më të rrepta regjistrimi ose masa që frenojnë hapjen e njësive të reja. Kufizimet duhet të jenë të argumentuara, proporcionale dhe të përkohshme, dhe të zbatohen vetëm në territorin ku ekziston problemi. Vendimet nuk do të vendosen automatikisht nga Brukseli; mbeten në dorën e qyteteve dhe qeverive lokale dhe kombëtare.
Airbnb ka kundërshtuar qasjen e propozuar, duke pohuar se shkaku kryesor i krizës së strehimit është mungesa e ndërtimeve dhe numri i lartë i banesave të pabanuara. Propozimi i Komisionit duhet të miratohet më tej nga Parlamenti Europian dhe nga vendet anëtare para se të bëhet ligj.

