Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, u dha masa e sigurimit “Arrest me burg” për 20 persona, të akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283/1/2 të Kodit Penal.
Hetimet, të përfshira në procedimin penal nr.442 të vitit 2026 dhe të nisura mbi bazën e informacionit referues nga Komisariati i Policisë Sarandë, nxorën se të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme, kryesisht kokainë dhe cannabis. Shpërndarja bëhej në qytetin e Sarandës dhe Ksamilit, kryesisht në zonën e shëtitores, në plazhe, pranë gjimnazeve si edhe në Beach Bar-et për turistët.
Dyshohet po ashtu për përfshirjen e shtetasve të huaj që kontaktonin të akuzuarit për të blerë doza me shumicë dhe për të kryer shpërndarjen në zonat e Ksamilit dhe Sarandës. Lënda narkotike cannabis sativa dyshohet se sigurohet nga fshati Shenvasil apo fshatrat përreth.
Në kuadër të këtij procedimi, gjatë një periudhe dy mujore, u kryen veprime simuluese dhe përgjime ambientale, ku është dokumentuar edhe shitja e lëndëve narkotike. Më herët janë arrestuar shtetasit A.N., A.C. dhe K.J., të cilëve u sekuestrua lëndë narkotike e llojit cannabis, në masë 4 kg. Dozat e shitura varionin nga 0.3 g deri në 3.5 g, ndërsa çmimet e dozave varionin nga 2,000 lekë deri në 35,000 lekë për lloje të ndryshme të lëndëve narkotike.
Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, u vendos masa e sigurimit “arrest në burg” për 20 personat nën hetim: A.O., F.F., F.L., A.A., E.D., M.M., R.A., Dh.T., N.R., F.B., E.D., K.P., D.S., Xh.M., V.K., B.K., Sh.B., N.R., A.B. dhe K.O.
Gjatë ekzekutimit të vendimit për masat e sigurimit dhe kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar, ndër të tjera, dy armë zjarri nga të dyshuarit D.S. dhe Sh.B.
Top Channel

