Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në mesazhin për hapjen e sesionit të ri parlamentar, bëri thirrje për bashkëpunim, dialog dhe përgjegjësi politike, me theks te integrimi evropian, reforma në drejtësi dhe forcimi i besimit të qytetarëve te institucionet. Ai cilësoi Kuvendin si vendin ku dallimet politike duhet të shprehen, debatojnë dhe përballen me argumente, duke nënvizuar pritshmëritë e qytetarëve për cilësinë e debatit, gjuhën politike, ligjbërjen dhe nivelin e përfaqësimit.
Begaj theksoi se hapja e sesionit është moment reflektimi mbi rezultatet, identifikimi i sfidave prioritare dhe programimi institucional i punës së ardhshme. Përmendi pjesëmarrjen aktive të shoqërisë dhe rëndësinë e shprehjes së lirë dhe protestës paqësore si elemente të jetës demokratike, duke pranuar se nuk do të ketë gjithmonë të njëjtat qëndrime apo përgjigje ndaj çdo kërkese. Sipas tij, sfida është që energjia qytetare dhe angazhimi institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve.
Kreu i Shtetit kërkoi një vizion afatgjatë përtej ndarjeve të ditës, duke renditur prioritetet kombëtare: sigurinë kombëtare, shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, partneritetet strategjike me SHBA dhe BE, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zgjedhjet, reformën territoriale dhe të ardhmen evropiane. Ai vuri theksin te vazhdimësia dhe ndjenja e përgjegjësisë që duhet t’i bashkojë forcat politike.
Begaj ripërsëriti se Bashkimi Evropian nuk është vetëm një destinacion diplomatik, por lidhet me besimin te reformat, cilësinë e institucioneve dhe zbatimin e ligjit për të gjithë. Rrugëtimi evropian, tha ai, është një projekt kombëtar që kërkon bashkëpunim dhe kontribut nga Kuvendi, mazhoranca, opozita, institucionet e pavarura, shoqëria civile, universitetet, mediat, sipërmarrja, rinia dhe Diaspora.
Si prioritet kryesor ai përmendi konsolidimin e reformës në drejtësi, duke vënë në dukje rezultatet e SPAK-ut si arritje të rëndësishme dhe nevojën për një drejtësi efikase, me standarde evropiane, të pavarur dhe me integritet. Begaj uroi që sesioni parlamentar të jetë periudhë bashkëpunimi që afron Shqipërinë me BE-në, forcon institucionet dhe rrit besimin e qytetarëve te politika dhe shteti.

