Edi Kuçi është dëshmuar sot në polici lidhur me përleshjen fizike me këngëtarin Jozefin Marku. Lajmin e konfirmoi për mediat e Kosovës zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, i cili bëri të ditur se intervistimi është kryer në prani të prokurorit. “Po mund ta konfirmoj që është intervistuar sot në polici në prani të prokurorit”, deklaroi Nikqi.
Ngjarja lidhet me përleshjen mes Kuçit dhe Markut në Tiranë, pamjet e së cilës janë shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale. Në videon e plotë, Kuçi shihet duke u ndaluar në rrugë pas një tabele false me mbishkrimin “Stop”, ndërsa më pas përballet me Markun dhe sulmohet fizikisht. Gjatë pamjeve dëgjohet Marku duke e pyetur Kuçin: “Pse m’ke shajt? Shaje Gjesti, shaje Gjestin”, ndërsa vazhdon ta godasë, dhe në fund të incidentit i kërkon Kuçit të ulet në gjunjë dhe t’i kërkojë falje.
Pas publikimit të videos, Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj Jozefin Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” ndaj shtetasit kosovar Eduard Kuçi — inicialet që i referohen Edi Kuçit. Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, ndërmarrjen e veprimeve ligjore dhe vendosjen e Markut në “stop-listë”.
Autoritetet kosovare bëjnë të ditur se çështja po trajtohet në bazë të dispozitave të nenit 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Intervistimi i Edi Kuçit në prani të prokurorit konsiderohet një tjetër hap në procedurën hetimore lidhur me incidentin. Për momentin, veprimet e mëtejshme ligjore dhe hetimore janë duke u ndërmarrë nga institucionet kompetente sipas autorizimit të Prokurorisë Themelore në Pejë.

