Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dhendias, gjatë një vizite në Ksanthi në krahinën e Trakës pranë kufirit me Turqinë, deklaroi se Greqia synon të prodhojë deri në 15 mijë dronë në vit si pjesë të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përshtatjes me mënyrën e re të zhvillimit të luftërave. Ai inspektoi një njësi ushtarake që prodhon mjetet ajrore pa pilot dhe tha se ushtria ka sot kapacitet për të prodhuar rreth 5 mijë dronë në vit.
Sipas Dhendias, me përfundimin e fabrikës së re, të quajtur fabrika 309, e cila pritet të inaugurohet në dhjetor, ky kapacitet do të trefishohet dhe do të arrijë në 15 mijë dronë në vit. Në shifër nuk përfshihet prodhimi i kompanive private të industrisë greke të mbrojtjes. Athina paraqet këtë zhvillim si ndryshim të madh krahasuar me situatën në fund të vitit 2023, kur Forcat e Armatosura dispononin vetëm dy dronë të kategorisë HERON dhe 252 mjete fluturuese të prodhimit industrial që, sipas përshkrimit në deklaratë, nuk ishin fort konkurruese.
Dhendias vuri në dukje ndryshimin e përdorimit të dronëve: ato nuk shërbejnë më vetëm për vëzhgim dhe zbulim, por mund të kenë edhe rol sulmues. Ai theksoi gjithashtu nevojën për zhvillimin paralel të sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve të një shteti që mund të kërcënojë Greqinë, pa përmendur emrin e ndonjë vendi. Përveç fokusit në prodhimin dhe përdorimin e dronëve, ministri përmendi se ushtria greke po ndërton 522 fortifikime të reja, të cilat parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2030.
Deklaratat u bënë gjatë vizitës së ministrit në njësi të prodhimit ushtarak në rajonin e Trakës dhe lidhen me planet e modernizimit të kapaciteteve ajrore të Forcave të Armatosura dhe me masat mbrojtëse përballë kërcënimeve nga mjetet ajrore pa pilot. Top Channel

