Ariana Grande i dha një lamtumirë emocionale fansave ndërsa po nis një pushim nga jeta publike pas përfundimit të turneut “Eternal Sunshine”. Këngëtarja performoi në O2 Arena në Londër në natën finale të turneut dhe, mes lotësh, falënderoi për mbështetjen dhe momentet e veçanta gjatë shfaqjeve. “Doja vetëm t’ju falënderoja shumë”, tha Grande, e shoqëruar nga duartrokitje dhe brohoritje. Ajo përmendi 10 shfaqjet në Londër dhe 41 koncertet e turneut dhe e përshkroi këtë periudhë si “një nga përvojat më të bukura dhe të jashtëzakonshme të jetës sime”.
Gjatë fjalimit ajo falënderoi fansat për lidhjen e krijuar me ta: “Kam fansat më të mirë në të gjithë botën dhe gjithmonë i kam pasur. Më pëlqejnë veshjet tuaja. Më pëlqejnë fytyrat tuaja. Më pëlqen t’ju shoh dhe më pëlqej të lidhem me ju në këtë mënyrë.” Njoftimi për tërheqjen e saj të përkohshme nga vëmendja publike ishte bërë publik muajin e kaluar; një përfaqësues tha se Grande do ta përfundonte turneun “me një notë të lartë” para se të merrte “një pushim shumë të merituar nga puna dhe paraqitjet publike”.
Grande u tërhoq po ashtu nga roli kryesor në një produksion londinez të vepres së Stephen Sondheim, “Sunday in the Park with George”, ku do të luante pranë Jonathan Bailey; edhe Bailey më pas u largua nga produksioni. Vendimi për të bërë një hap pas erdhi pas një periudhe në të cilën këngëtarja ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes dhe është përballur me komente të shumta rreth pamjes së saj. Grande theksoi se vendimi nuk ishte reagim ndaj kritikave, duke thënë gjatë një performance në Çikago: “Dëgjova se fansat e mi ishin të shqetësuar se negativiteti po më prishte gjërat, por duhet të them se nuk mund të jetë më e kundërta.”
Ajo shtoi se vendosja e kufijve është e nevojshme dhe se njerëzit mund të kenë nevojë për pushim: “Duhet të vendosen kufij, qeniet njerëzore mund të kenë nevojë për një pushim ndonjëherë.” Grande ka bërë të qartë se tërheqja nuk ishte një vendim impulsiv, por diçka që e kishte planifikuar prej kohësh.

