Kastriot Skënderaj është emëruar këtë të hënë në krye të policisë së Elbasanit. Ky është emërimi i parë i firmosur nga Skënder Hitaj pas ndryshimeve në ligjin për policinë e shtetit.
Kastriot Skënderaj, i cili njihet në radhët e bluve si një prej efektivëve të karrierës, pritet të jetë Drejtori i ri i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Burime për Newsbomb kanë bërë me dije këtë të hënë se kryepolici Skënder Hita ka vendosur që të emërojë në këtë post pikërisht Skënderajn, një prej figurave me një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit dhe me eksperiencë në poste drejtuese.
Emërimi i tij në Elbasan vjen pas një karriere të shtrirë në disa prej strukturave të rëndësishme të Policisë së Shtetit, ku Skënderaj ka mbajtur ndër vite detyra të ndryshme drejtuese.
Kastriot Skënderaj nuk është një emër i panjohur për uniformat blu. Ai ka drejtuar më herët Policinë e Tiranës, ndërsa më pas është emëruar këshilltar i Ardi Veliut, kohë kur ky i fundit mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Një tjetër detyrë e rëndësishme në karrierën e tij ka qenë ajo e Drejtorit të Policisë së Vlorës dhe Gjirokastrës, në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, Policia e Shtetit zhvilloi operacionin e gjerë në Lazarat, ku humbi jetën efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha.
Pas kësaj periudhe Skënderaj u rikthye në Tiranë, ku mori drejtimin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, duke vijuar angazhimin e tij në struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit.
Karriera e tij në nivelet drejtuese të policisë u shoqërua edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm ku më 24 janar ai mori gradën “Drejtues i Parë” së bashku me Ardi Veliun dhe Bledar Çelikun.

