Mbi 1,000 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet masive të dheut në Nepal dhe Tibet, ndërsa më shumë se 4,400 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Sipas bilancit më të fundit, 987 persona kanë vdekur në Nepal dhe 13 në rajonin kinez të Tibetit; në të dyja zonat, 4,462 persona janë ende të zhdukur. Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe ka bllokuar qindra persona në hidrocentrale në zonat malore të Himalajeve.
Ekipet e shpëtimit kanë përdorur ura të përkohshme dhe mjete të rënda për të arritur në zonat e izoluara; në disa raste, shpëtimtarë kanë depërtuar edhe nëpër tunele të projekteve hidroenergjetike, siç tregohen në materialet e shpërndara për media nga autoritetet. Deri tani rreth 279 punëtorë janë nxjerrë të gjallë nga hidrocentralet, ndërsa qindra të tjerë vijojnë të jenë të bllokuar. Autoritetet kanë filluar gjithashtu të varrosin viktima të paidentifikuar në zonat më të goditura.
Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, tha se mbi 11,000 persona janë shpëtuar deri tani. Në disa prej zonave më të prekura është rikthyer energjia elektrike, komunikimi dhe lidhja rrugore, çka ka lehtësuar vazhdimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe dërgimin e ndihmave. Një nga zonat ku është rikthyer aksesi është Nuwakot, e cila ishte ndër më të goditurat.
Nepali ka marrë më shumë se 42 milionë dollarë ndihmë ndërkombëtare, ndërsa India dhe Kina po kontribuojnë në operacionet e shpëtimit dhe në rikthimin e lidhjeve me zonat e izoluara. Autoritetet paralajmërojnë se rindërtimi pas katastrofës mund të kushtojë miliarda dollarë dhe të rëndojë ekonominë e vendit.
Kryeministri Shah lidh përkeqësimin e katastrofave në Himalaje me ndryshimet klimatike, duke paralajmëruar se rreziqet për rajonin po shtohen. Nepal është veçanërisht i ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut për shkak të terrenit malor, ndërsa shkrirja e akullnajave në Himalaje paraqet një kërcënim për miliona njerëz që varen nga ujërat e këtij rajoni. Ekspertët e OKB-së kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike po bëjnë fatkeqësitë më të shpeshta dhe më intensive.

