Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar në total 288 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet nga ajri me 2 helikopterë, të angazhuar në 3 operacione.
Vatra aktive janë në Mali i Dajtit (Tiranë), Vajkal (Bulqizë) dhe Sllatinë (Dibër). Në Mali i Dajtit puna për shuarjen e zjarrit vazhdon në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës. Në këtë operacion u angazhuan 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, si dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura; forcat operacionale vijojnë punën në terren. Në Vajkal zjarri mbetet aktiv në një sipërfaqe me shkurre dhe dëllinja në terren shkëmbor. Operacionit iu angazhuan 40 forca vendore dhe vullnetare, dhe për shkak të favorizimit të flakëve nga era u aktivizua edhe 1 helikopter i FA-së; gjatë ditës operacioni u përforcua me 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Sllatinë vijon vatra aktive në një sipërfaqe pyjore me ah. Për shuarjen janë angazhuar 33 forca bashkiake, 5 forca të ADZM-së dhe 8 vullnetarë, gjithsej 46 forca, dhe për shkak të rrezikut të përhapjes drejt pyjeve me pisha operacioni është mbështetur edhe me 1 helikopter të FA-së; forcat operacionale vijojnë punën gjatë ditës së sotme.
Katër vatra të tjera mbahen nën mbikëqyrje në Qafë të Helmës dhe Arrmollë në qarkun Dibër, si dhe në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në qarkun Elbasan. Situata në këto zona është nën kontroll ose e izoluar dhe, sipas raportimeve, nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon ndjekjen e situatës në gjithë territorin në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

