Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh. Sheholli, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, akuzohet se, nga një datë e pacaktuar deri në arrestim, me dashje dhe si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA), ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi. Si provë përfshihen edhe veprimtari të tij gjatë luftës në Kosovë dhe deklarimet publike nga viti 1999, përfshirë një intervistë për Los Angeles Times, ku sipas dosjes ai kishte deklaruar se “forcat serbe nuk po kryenin gjenocid në Kosovë, por vetëm krime individuale”, deklarime që prokuroria i konsideron në përputhje me narrativën zyrtare serbe. Prokuroria gjithashtu liston qëndrime publike në favor të Listës Serbe dhe mbrojtjen publike të Milan Radojiciçit, për të cilin Sheholli kishte shprehur besim në pafajësi dhe e kishte portretizuar si faktor me ndikim pozitiv në veriun e Kosovës.
Me urdhër gjykate janë përdorur masa të veçanta hetimore. Përmes përgjimit dhe vëzhgimit, Prokuroria thotë se ka prova se Sheholli ka pasur kontakte të vazhdueshme me Bojan Dimiç, zyrtar i lartë i BIA-së, në zbatim të një plani për pranimin, transportimin dhe publikimin e materialeve të siguruara nga ky shërbim, me qëllim ndikimin e opinionit publik dhe jetës politike në Kosovë. Dosja përmend komunikime direkte lidhur edhe me pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë mesazhin e përkthyer ku Dimiç informonte Shehollin për një rast të vogël, por të parëndësishëm, lidhur me babanë e Nuredinit.
Prokuroria bazohet edhe në audioincizime nga vetura dhe biseda të kapura midis Shehollit dhe Dimiçit, ku diskutohet koordinimi, kujdesi për përgjimin, dhe përkthimi i materialeve. Në aktakuzë përshkruhet gjithashtu marrëveshja mes Shehollit dhe gazetarit Milaim Zeka për publikimin në emisionin “Pa Rrotlla”: Sheholli i prezanton materialet si të siguruara nga “GIZI Gjerman” dhe premton 2,000 euro (1,000 para dhe 1,000 pas dhjetë ditësh) për publikim. Prokuroria pretendon se materiali duhej të publikohej më 27 ose 28 shtator për të diskredituar oponentët e Listës Srpska dhe për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve më 12 tetor 2025.
Sipas dosjes, materialet i janë dorëzuar Shehollit më 26 shtator 2025 pranë Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut; një person i dorëzoi një fasikull të kaltër dhe shumën prej 5,000 euro, ndërsa Sheholli udhëzoi bashkëshorten të fshehë materialin në trupin e saj. Pas pranimit, ata ndaluan në qendrën tregtare “ETC” për ta verifikuar përmbajtjen dhe paratë.

