Ricky Martin rikthehet në kinematografi pas më shumë se dy dekadash si pjesë e kastit dhe producent ekzekutiv i filmit të ri të Gael García Bernal, “Hombre al Agua”. Sipas “Deadline”, ai iu bashkua projektit pak para nisjes së xhirimeve në Meksikë. Filmi do të ketë premierën botërore dhe debiun në Amerikën e Veriut në Festivalet e Filmit në Venecia dhe Toronto që zhvillohen muajin e ardhshëm.
“Hombre al Agua” përshkruhet si një komedi dramatike me elemente sureale dhe është filmi i tretë artistik që drejton Bernal. Ai luan gjithashtu rolin kryesor, ka bashkëshkruar skenarin dhe është përfshirë në prodhim. Bernal interpreton Camilon, një roje plazhi kubaneze, i cili shpëton nga mbytja në Karaibe Abelin, një biznesmen të fuqishëm meksikan me ambicie politike. Camilo ndjek Abelin në Meksikë, bëhet krahu i tij i djathtë dhe më vonë martohet me vajzën e biznesmenit, por jeta e re rezulton të jetë më e rrezikshme nga sa kishte imagjinuar.
Ricky Martin shfaqet në rolin e Roby, një aktor i angazhuar për të interpretuar Camilon në një film biografik të prodhuar nga gruaja e tij. Bernal ka thënë se Martin ishte zgjedhja e tij e parë për rolin, por për shkak të vështirësive për ta kontaktuar e mbajti emrin e tij sekret gjatë pjesës më të madhe të përgatitjeve. Sipas regjisorit, roli kërkonte vetëm një ditë xhirimesh; pak para nisjes së produksionit ai gjeti numrin e Martin dhe e telefonoi, dhe Martin iu përgjigj: “Çfarëdo që të duash”.
Në film interpretojnë gjithashtu Esmeralda Pimentel, Débora Nascimento, Natalia Oreiro, Anna Díaz, Manuel García Rulfo dhe Jorge Salinas. “Hombre al Agua” është bashkëprodhuar nga Gael García Bernal dhe Diego Luna përmes kompanisë së tyre La Corriente del Golfo, ndërsa Bernal ka bashkëpunuar me Mariano Pensotti për skenarin. Filmi pritet të shfaqet në kinematë meksikane më 24 shtator dhe është një nga 17 produksionet në garë për të përfaqësuar Meksikën në Çmimet e 99-ta të Akademisë.

