Binjakët shqiptarë Cristian dhe Stiven Shpendi kanë nisur sezonin 2026-27 në Serie B ashtu si e mbyllën të kaluarin: me gola dhe spektakël. Që në javën e parë të kampionatit italian, të dy vëllezërit gjetën rrugën e rrjetës, duke vazhduar “duelin” e tyre pozitiv në distancë.
Të shtunën, Stiven shkëlqeu duke vulosur fitoren 1-0 të Empolit ndaj Cremoneses me një gol vendimtar. Përgjigja erdhi të dielën nga Cristian, i cili hapi llogarinë e golave për Cesenën në ndeshjen kundër Sampdorias. Në minutën e 16-të, ai shfrytëzoi një asist nga Guidi dhe dërgoi topin në rrjetë me kokë, duke i dhënë një nisje të suksesshme trajnerit të ri, Alessandro Diamanti, në debutimin e tij në stolin bardhezi.
Të lindur në Ankona nga prindër shqiptarë, binjakët po konfirmojnë sërish se janë ndër talentet më premtues në futbollin italian. Edhe sezonin e shkuar ata patën paraqitje të spikatura në Serie B: Stiven realizoi 15 gola për Empolin, ndërsa Cristian shënoi 12 herë për Cesenën.
Për Cristianin, i cili nga viti i kaluar është bërë pjesë e rregullt e Kombëtares A të Shqipërisë, goli i fundit shton zërat e merkatos. Paraqitjet e tij të mira kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve nga Serie A, të cilat po e ndjekin nga afër situatën e sulmuesit kuqezi.

