Vatikani pritet të investojë rreth 100 milionë euro për ndërtimin e një centrali të energjisë së rinovueshme, me qëllim furnizimin e Selisë së Shenjtë brenda dy viteve. Sipas burimeve të Reuters, bëhet fjalë për një projekt agro-fotovoltaik me kapacitet 80–90 megavat, që do ta rendisë ndër impiantet më të mëdha të këtij lloji në Itali.
Centrali do të ngrihet në pronën Santa Maria di Galeria, në periferinë veriperëndimore të Romës, një sipërfaqe rreth 450 hektarësh në pronësi të Vatikanit ku që nga viti 1950 ndodhen objektet e transmetimit të Radio Vatikanit. Një komision i përbashkët Itali–Vatikan u mblodh muajin e fundit për të nisur procedurat pas ratifikimit nga Italia të marrëveshjes dypalëshe të vitit 2025 që lejon zhvillimin e kësaj zone. Kontratat për projektin pritet të shpallen në javët e ardhshme.
Ndërtimi mund të zgjasë 18–24 muaj, duke përfshirë procedurat e licencimit dhe ato administrative. Planet parashikojnë vendosjen e paneleve diellore disa metra mbi tokë, në një sistem që lejon vazhdimin e përdorimit të tokave për bujqësi. Hija e paneleve pritet të ulojë avullimin e ujit dhe të mbrojë bimët nga kushtet ekstreme të motit. Paneleve do t’u bashkëngjitet një sistem monitorimi, dhe ato pritet të mbulojnë rreth 200 hektarë, ose afro gjysmën e sipërfaqes së Santa Maria di Galeria.
Centrali do të furnizojë fillimisht objektet e transmetimit të Radio Vatikanit dhe do të kontribuojë në furnizimin me energji të Selisë së Shenjtë. Energjia mund të përdoret gjithashtu nga institucione të lidhura me Selinë, përfshirë spitalin Bambino Gesù në Romë. Në rast teprice, sasia e prodhuar do të vihet në dispozicion të rrjetit elektrik italian. Vatikani nuk do të përfitojë nga skemat e stimulimit financiar që Italia ofron për familjet dhe bizneset që instalojnë sisteme diellore.
Projekti ishte një nga prioritetet e Papa Françeskut dhe është miratuar edhe nga Papa Leo XIV. Marrëveshja mes Italisë dhe Vatikanit i jep projektit status të veçantë, të ngjashëm me objektet e Radio Vatikanit, duke përfshirë përjashtime nga disa taksa dhe tarifa publike italiane, me kusht që zbatimi të mos krijojë barrë të re për financat publike të Italisë.

