Kanë kaluar më shumë se dy javë nga përfundimi i afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por procesi i funksionalizimit vazhdon të mbetet i papërfunduar: që nga ajo kohë është thirrur vetëm një seancë konstituive. Siç raporton korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, mosmarrëveshjet për zgjedhjen e presidentit kanë shtyrë mbarëvajtjen e procedurave për emërimin e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të parlamentit.
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kërkesën për më shumë kohë të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të arritur një marrëveshje rreth postit të presidentit, duke e cilësuar atë si zvarritje me qëllim. Haradinaj propozon që të vazhdojë mandati i ndërprerë i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili sipas tij ia është marrë për shkak të një ndërhyrjeje ligjore si pasojë e gjykimit në Hagë. “Nëse don zgjidhje Kurti, pra regjimi i Kurtit, me të thënë të drejtën është nder i kësaj legjislature por edhe të çdo legjislature të ia vazhdojë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore”, u shpreh Haradinaj.
Të shtunën, opozita ka vijuar presionin për konstituimin e Kuvendit duke u ulur në vendet e rezervuara për deputetët. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës iu bënë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, duke theksuar se askush dhe asnjë parti nuk është mbi kushtetutën. “Asnjë individ nuk është mbi kushtetutën. Asnjë parti nuk është mbi kushtetutën. Asnjë pushtet nuk është mbi republikën e Kosovës. Kjo është vija që duhet ta mbrojmë të gjithë”, tha Altin Krasniqi. Besnik Tahiri, deputet i Aleancës, paralajmëroi se dobësimi dhe rrezikimi i shtetit nuk vjen vetëm nga keqqeverisja, por edhe nga shkelja e vendimit të sovranit.
Për t’u konstituuar plotësisht, Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin dhe pesë nënkryetarët. Përgjegjësia e propozuar për emërimin e kryetarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, e cila deri tani nuk ka bërë nominimin, duke deklaruar se i duhet më shumë kohë për të arritur marrëveshje për presidentin dhe se po negocion për këtë çështje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

