Ditën e sotme vijon operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit, në Bashkinë Pukë. Në Gjegjan situata paraqitet më e qetë dhe aktualisht nuk raportohet përparim i vatrës; zona po monitorohet nga forcat vendore. Në Gojan të Madh gjatë natës u evidentuan riaktivizime të vatrave, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse normalizoi situatën. Në lagjen Pepaj zjarri nuk ka avancuar drejt banesave përtej zonës së izoluar gjatë ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme, dhe vazhdon të mbahet nën vëzhgim nga forcat lokale.
Vatra më problematike paraqitet në Gojan të Vogël, ku zjarri vijon aktiv dhe po përhapet në zbritje drejt zonës së banuar, por deri tani nuk është në afërsi kritike. Në këtë vatër ndërhyrja ajrore është përqendruar me dy helikopterë, të koordinuar me operacionin tokësor nga efektivët e Forcave të Armatosura dhe strukturat vendore operative. Në Prozhëm raportohet avancim i vatrës; që nga dita e djeshme janë dislokuar dy mjete zjarrfikëse për mbrojtjen e qytetarëve dhe banesave dhe për ndërhyrje të menjëhershme në rast afrimi të flakëve në zonën e banuar. Ndërhyrja në Prozhëm koordinohet sipas dinamikes nga ajri dhe nga toka.
Në të gjithë zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar aktualisht 9 mjete zjarrfikëse dhe 45 efektivë të MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra; po ashtu janë të angazhuar 13 punonjës të Shërbimit Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura nga RKV. Prefektura e Qarkut Shkodër, në koordinim me Bashkinë Pukë, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon koordinimin dhe monitorimin e operacionit. Ndërhyrjet janë intensifikuar në zonat me rrezikshmëri më të lartë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe banesave, si dhe izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.

