Presidenti Donald Trump ka ndryshuar taktiken ndaj Iranit duke u përqendruar në presionin ekonomik, pas bombardimeve, kërcënimeve ushtarake dhe ngërçit në negociata. Në një postim në Truth Social ai e përshkroi planin si “luftën më të madhe ekonomike të zhvilluar ndonjëherë kundër ndonjë vendi” dhe premtoi masa të ashpra kundër çdo shteti që lejon mbështetje financiare, tregtare apo logistike për Teheranin, duke përmendur “kontrabandën e naftës, linjat e këmbimit, transfertat e parave të gatshme, shkëmbimet valutore, regjistrat, kompanitë fiktive”.
CNN vë në dukje se mbetet të shihet nëse Trump do të mbajë këtë kurs kur kostoja politike të rritet. Qasja shihet si përpjekje për të rikuperuar dështimet e mëparshme për të detyruar Iranin me forcë ushtarake ose për ta rikthyer në negociata bërthamore përmes stimujve. Administrata ka ndërprerë dialogun me Teheranin dhe, sipas raportimeve, po përgatitet për një luftë rraskapitëse që Trump beson se do të shkatërrojë ekonominë iraniane.
Analistët shprehin skepticizëm se presioni ekonomik do ta detyrojë regjimin iranian të dorëzohet. Daniel Sitrinowicz vlerëson se ata që pretendojnë se Irani do të shembet nën presion gabohen dhe nuk shihen shenja të zbutjes së strategjisë së Iranit përmes tregjeve ndërkombëtare. Shkatërrimi ekonomik i Iranit do të kërkonte muaj ose vite dhe një nivel durimi që, sipas CNN, Trump rrallë ka treguar.
Për efektivitet, analiza thekson nevojën për ndryshim të mënyrës së veprimit të administratës: një bllokadë e suksesshme kërkon mobilizim të gjerë diplomatik dhe bashkëpunim me vendet e Gjirit, Europën dhe Azinë. Ludovic Hood sugjeron rritjen e presionit ndaj të ardhurave të Gardës Revolucionare dhe rrjetit të aleatëve të Iranit, forcuar marrëdhëniet me Bagdad dhe Bejrut dhe shtim të presionit ndaj Kinës, si blerëse kryesore të naftës iraniane. Megjithatë, diplomacia e Uashingtonit po kritikohet si naive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar nuk duket prioritet i qartë.
Një bllokadë e plotë përballet edhe me dilema praktike dhe politike, përfshirë efektet në marrëdhëniet me Kinën para vizitës së Xi-së dhe rrezikun e kundërpërgjigjeve iraniane, si pengimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit, që mund të rrisë kostot ekonomike dhe politike për Trumpun. Një përshkallëzim do të shkaktonte konfrontim të drejtpërdrejtë, ndërsa tërheqja mund të perceptohej si dobësi dhe të jepte hapësirë për sulme politike nga demokratët.

