Dronët, që vitet e fundit lidhen kryesisht me operacione ushtarake, po shqyrtohen nga Komisioni Evropian si mjet për të ndihmuar fermerët në luftën kundër dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve. Sipas Politico, Komisioni po konsideron heqjen e ndalimit që kufizon përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot për spërkatjen e pesticideve, pjesë e një rishikimi më të gjerë të rregullave të BE-së për produktet e mbrojtjes së bimëve. Propozimi vlerësohet si një nga pjesët më pak të diskutueshme të reformës, pasi disa shtete anëtare kërkojnë më shumë fleksibilitet.
Përdorimi bujqësor i dronëve është zgjeruar që nga vitet 2010: teknologjia përdoret për monitorimin e të korrave, zbulimin e dëmtuesve dhe problemeve me lagështinë, si dhe për aplikimin e saktë të plehrave dhe pesticideve. Megjithatë, rregullat aktuale, përfshirë Direktivën Evropiane të vitit 2009 për përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve, kufizojnë spërkatjen ajrore për shkak të shqetësimeve mbi përhapjen e pakontrolluar të kimikateve, ndotjen e mjedisit dhe ekspozimin e njerëzve. Këto rregulla janë hartuar para përhapjes së teknologjisë moderne të dronëve, dhe qeveritë kombëtare mund të autorizojnë spërkatjen ajrore vetëm në raste të veçanta, si vreshtat e tarracuara, pemishtet në zona të vështira dhe zonat e përmbytura.
Mbështetësit argumentojnë se dronët mund të reduktojnë sasinë e pesticideve duke aplikuar vetëm në zonat e nevojshme, duke ulur kostot dhe ndikimin në mjedis. Organizata e industrisë CropLife shton se dronët me bateri mund të kenë emetime më të ulëta se makineritë tradicionale. Komisioni pranon megjithatë se ekzistojnë “boshllëqe të konsiderueshme në njohuri”, përfshirë sa larg mund të transportohen pesticidet nga era dhe cilët lloj dronësh janë më të sigurët, si dhe mungesën e të dhënave për vlerësim të plotë.
Komisioni planifikon të përfshijë dronët në strategjinë për bujqësinë dixhitale që pritet të miratohet deri në fund të vitit, me synimin e zhvillimit të bujqësisë precize. Presion për ndryshim ka prej kohësh; në dhjetor 2024, 15 shtete anëtare kërkuan një propozim të ri. Por grupet mjedisore kërkojnë kujdes dhe prova shkencore më të qarta, duke paralajmëruar edhe për rreziqet për privatësinë dhe mundësinë e zgjerimit të hendekut mes fermave të mëdha dhe të vegjël. Sipas propozimit të Komisionit, shtetet do të mund të autorizonin më gjerësisht dronët për spërkatje, nëse vlerësohet se nuk paraqesin rrezik më të madh se metodat tradicionale; miratimi përfundimtar kërkon kompromis midis vendeve anëtare.

