Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Korrespondentja e Top Channel, Entjola Budo, raporton se bëhet fjalë për Miosid Matushaj, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Sipas hetimeve, të dy ndodheshin në lokalin “Principote” në momentin kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit. Ata kishin shkuar në lokal në rolin e bodyguard-ëve, ndërsa në detyrë duhej të garantonin sigurinë në ambientet e lokalit. Policia bën të ditur se gjatë konfliktit ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Pas ngjarjes, po ashtu nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit për vrasjen.
Për këtë arsye ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra. Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. Ndërkohë, Romeo Shehu rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin detyrën e sigurisë në “Principote” dhe hetimet për të lidhen me përgjegjësinë për moskallëzimin e ngjarjes.
Në dosjen hetimore rezulton se në momentin e konfliktit në “Principote” ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie. Policia ka referuar në Prokurori përgjegjësitë e tyre për veprimet dhe mosveprimet para dhe pas vrasjes. Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e të gjithë të pranishmëve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për mosveprimet që mund të kenë ndikuar në përshkallëzimin e ngjarjes dhe më pas në mosdeklarimin e saj tek autoritetet përkatëse.

