Policia e Sarandës ka shoqëruar 42 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendez, e cila ndodhi në orët e para të mëngjesit në lokalin “Principotes” në Ksamil. Burime bëjnë me dije se pritet edhe arrestimi i personave të tjerë, përveç 29-vjeçarit Sokrat Vata, i dyshuar si autori i vrasjes; mes emrave që pritet të ndalohen përmenden dy shtetas turq që dyshohet se e ndihmuan atë të largohet, si dhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Është ndaluar gjithashtu Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili sipas policisë dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes. Matushaj, i cili rezulton të ketë detyrë si Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër, dyshohet se punonte si bodyguard në kompaninë “Elite Security” së bashku me Sokrat Vatën në lokalin “Principote”. Hetimet kanë nxjerrë dyshime se ai mund të ketë ndihmuar në arratisjen e autorit.
Policia po heton gjithashtu rolin e një çifti turk që drejtonte mjetin ku dyshohet se u fsheh autori i vrasjes. Ka dyshime se Sokrat Vata ka punuar edhe si bodyguard i njërin prej shtetasve turq, çka po hetohet nga organet e rendit.
Nga hetimet rezulton gjithashtu se është shpallur në kërkim shtetasi Bekim Bulica, 36 vjeç, i cili dyshohet se ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës për t’iu shmangur hetimit. Autoritetet po vazhdojnë marrjen e deklaratave dhe veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, përfshirë ata që dyshohen se mund të kenë ndihmuar autorin të largohej.
Informacionet e përmendura vijnë nga burimet e hetimit dhe nga raportimi i medias lokale. Top Channel

