Islam Makhachev është tashmë mbajtësi i rekordit për më shumë fitore radhazi në historinë e UFC-së, pas fitores me vendim unanim ndaj Ian Machado Garry në eventin kryesor të UFC 330 në Filadelfia. Luftëtari nga Dagestani regjistroi fitoren e 17-të radhazi në organizatë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të Anderson Silva me 16 fitore.
Makhachev, kampion i peshës velter, e mbrojti për herë të parë titullin në këtë kategori. Përballë tij Garry ofroi një paraqitje të fortë dhe e vuri në vështirësi kampionin në disa momente, duke u përpjekur ta mbante luftën në këmbë dhe duke përdorur goditjet në distancë. Makhachev imponoi stilin e tij me mundje dhe kontroll në tokë, që u konfirmuan si arma kryesore në përballje.
Në raundin e parë të dy luftëtarët nisën me kujdes dhe Makhachev realizoi rrëzimin e parë, duke e çuar Garry-n në tokë dhe duke treguar që kontrolli në grappling do të jetë faktori kyç. Garry arriti të ngrihej dhe të shmangte kontrollin e plotë, por në raundin e dytë Makhachev goditi me një high kick të fuqishëm që rrëzoi irlandezin; kampioni kontrolloi Garry-n në tokë deri në fund të raundit.
Raundi i tretë e pa Garry-n më të sigurt në këmbë, ku ai përdori përsëri goditjet me këmbë dhe arriti të mbajë larg Makhachevin; në këtë periudhë ai pati edhe një moment të rëndësishëm kur goditi kampionin me një high kick në kokë, duke shkaktuar shenja lodhjeje te Makhachev. Raundi i katërt u konsiderua vendimtar, pasi të dy shkëmbyen goditje dhe Makhachev arriti përsëri ta çonte luftën në tokë, ta mbajë të kontrolluar pranë kafazit dhe të fitojë avantazh që ndikoi në vlerësimin e gjyqtarëve.
Në raundin e fundit Garry doli më agresiv, kërkoi përmbysjen duke goditur me kombinime dhe mbajtur qendrën e oktagonit, por Makhachev realizoi një tjetër rrëzim dhe përfundoi përballjen në tokë. Pas pesë raundesh, të tre gjyqtarët dhanë fitoren me vendim unanim për Makhachev, i cili kështu jo vetëm mbrojti titullin, por vendosi rekord të ri me 17 fitore radhazi. Emrat e Carlos Prates dhe Michael Morales përmenden tashmë ndër kandidatët për sfidën e radhës, ndërsa Makhachev ka shfaqur interes për një përballje me Prates.

