Deri në orën 17:00 në territorin e vendit janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Në operacionet e sotme janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të ndërhyrjes ajrore dhe tokësore janë përfshirë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse shtesë, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Mali i Dajtit, Tiranë – operacioni vijon në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, me mbështetje nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Sipas njoftimit, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Gurë-Lurë, Dibër – mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma për të ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Në terren janë të angazhuara 150 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ekipe të ADZM, 15 të MZSH dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 hektarë pyll pishe; aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – në operacion janë 11 efektivë të MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë dhe vazhdon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.
Abaze, Krujë – vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara; vatra në Zidoll është në monitorim.
Lufaj, Mirditë – puna përfshin shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat.
Fushë-Lajë, Pukë – vatra mbetet aktive në terren të thyer, që vështirëson ndërhyrjen; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Gjirokastër – aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj; strukturat e MZSH janë në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Vlorë – aktive vatrat në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik; Gjormë është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban e Mesaplik vijon puna e MZSH për shuarjen, pa rrezik për banesat.
Dardhë, Librazhd – puna vijon nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri. AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon ndjekjen dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

