Arsenal ka shfaqur interes për Jarell Quansah, mbrojtësin 23-vjeçar të Bayer Leverkusenit, i cili raportohet i gatshëm të rikthehet në Angli pas vetëm një sezoni në Bundesliga. Klubi londinez po kërkon me urgjencë një përforcim në qendër të mbrojtjes, pasi Mikel Arteta ka nevojë për alternativa pas dëmtimit të William Saliba.
Arsenali ka qenë më parë i interesuar për Ezri Konsa të Aston Villas, por kërkesa prej 60 milionë paundësh konsiderohet e lartë dhe e vështirë për t’u arritur, duke e bërë Quansah një alternativë më të përballueshme. Quansah, që u largua nga Liverpooli për Leverkusenin rreth 12 muaj më parë, është i interesuar për një rikthim në Premier League. Leverkuseni kishte paguar rreth 30 milionë paund për kartonin e tij dhe pritet të kërkojë një shumë më të lartë nëse vendos ta shesë.
Përfaqësues i profilit që i përshtatet kërkesave të Artetës, Quansah është i njohur për versatilitetin e tij: mund të luajë si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë. Sezonin e kaluar ai luajti kryesisht në të djathtën e një mbrojtjeje me tre lojtarë te Leverkuseni, ku u shfaq si një prej mbrojtësve të rëndësishëm të skuadrës. Në total ai zhvilloi 44 ndeshje dhe shënoi pesë gola për klubin gjerman.
Quansah është produkt i akademisë së Liverpoolit, ku u bashkua që në moshën pesëvjeçare. Me ekipin e parë të “Reds” zhvilloi 58 paraqitje dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi titullin e Premier League. Pas transferimit në Gjermani, ai vazhdoi zhvillimin dhe siguroi edhe një vend në kombëtaren angleze, me gjashtë ndeshje deri tani, dhe është përfshirë rregullisht në listat e Thomas Tuchel.
Arsenali po shqyrton mundësinë e transferimit të Quansah si alternativë ndaj Konsas, ndërsa klubi londinez vazhdon gjithashtu kërkimin për një anësor të majtë, megjithë vështirësitë për të sjellë një emër të madh në atë pozicion.

