Transferimi i Rodrit te Barcelona është në rrugën e duhur, por ende i papërfunduar. Katalanasit kanë bërë një ofertë të re për mesfushorin spanjoll, ndërsa Manchester City mbetet i vendosur për një kërkesë prej 80 milionë eurosh. Barcelona ka ofruar 60 milionë euro plus 10 milionë në bonuse, por City e ka refuzuar këtë propozim të dytë. Megjithatë, negociatat vazhdojnë dhe Barça po përgatit ofertën e saj përfundimtare.
Sipas raportimeve të The Times, Manchester City po përpiqet të rrisë vlerën e transferimit për të krijuar hapësirë në kuadër të rregullave financiare, në mënyrë që të realizojë afrimin e Enzo Fernández nga Chelsea. Barcelona pritet të bëjë lëvizjen e fundit brenda orëve në vazhdim; burime pranë negociatave thonë se oferta përfundimtare mund të jetë 65 milionë euro fikse plus 10 milionë euro bonuse. Nga këto bonuse, pesë milionë konsiderohen më të lehta për t’u arritur, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e lidhur me objektiva më të vështirë realizimi. Kjo është shifra me të cilën Barcelona synon të bindë Manchester Cityn për largimin e mesfushorit.
Një faktor kyç në bisedime është vetë Rodri. Ai ka dhënë mbështetjen e plotë për transferimin dhe i ka kërkuar Manchester Cityt që t’ia lehtësojë largimin, pasi dëshira e tij është të largohet nga Premier League. Rodri pritet të rikthehet te Manchester City të premten, por dëshira e tij është që në vend të udhëtojë drejt Anglisë, të shkojë direkt në Barcelonë.
Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt dhe negociatat kanë hyrë në fazën finale, e cila pritet të jetë më e vështira. Barcelona beson se diferenca me Cityn tashmë është e vogël dhe se një marrëveshje mund të arrihet në çdo moment. Edhe pse City ka deklaruar se nuk do të kishte problem ta mbante Rodrin për sezonin e fundit të kontratës së tij, lëvizjet e merkatos tregojnë përpjekje të ndryshme: klubi anglez po punon për afrimin e dy mesfushorëve, Bouaddi dhe Enzo Fernández, për të mbuluar një largim të mundshëm.
Rodri e di që Barcelona po bën një sforcim financiar dhe, sipas raporteve, ka pranuar të bëjë sakrifica në kontratë, duke hequr dorë nga disa të ardhura që do t’i merrte në rast zgjedhjeje të Real Madridit. Tani gjithçka varet nga dy klubet: Barcelona po përgatit ofertën përfundimtare, ndërsa Rodri pret dritën jeshile për të nisur aventurën në Camp Nou.

