Ministria e Mbrojtjes njofton se në 24 orët e fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 mbeten aktive dhe 1 është në monitorim. Në operacionet për shuarje janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale. Në mbështetje janë dërguar gjithashtu 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”; aktualisht në terren vazhdojnë të operojnë 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës, vijon puna për shuarjen e vatrës në pyllin me pisha me angazhimin e MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore; nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë të Madhe, ku zjarri është shtrirë drejt Gurrës, Farkës dhe Lundrës, vijojnë ndërhyrjet tokësore dhe ajrore për vendosjen e situatës nën kontroll.
Në Drenie–Lofkend–Ngracije, në zonën Patos–Mallakastër, operacioni zhvillohet me forcat zjarrfikëse dhe strukturat vendore, të mbështetura nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 autoambulancë e FA-së; në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë dhe 25 forca bashkiake. Në Krujë, zjarri në lagjen Abaze vazhdon të jetë aktiv dhe po mbështetet fuqishëm nga Forcat e Armatosura dhe mjetet ajrore; në terren janë 57 efektivë të FA-së, mjete mbështetëse dhe helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa forcat po punojnë për mbrojtjen e zonave të banuara. Në Krastë dhe Halil operojnë ADZM, strukturat bashkiake dhe 58 efektivë ushtarakë me 6 automjete; aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Përmet janë dy vatra në malet e Nëmerçkës mbi Biovizhdë dhe në malin Dhëmbel mbi Badilonjë; operacionet përfshijnë forcat zjarrfikëse dhe bashkiake, të mbështetura përkatësisht nga 25 dhe 30 efektivë të FA-së; terreni është i vështirë malor por pa rrezik për banesat. Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, zhvillohet një operacion i gjerë toka-ajër me MZSH, forcat bashkiake, Policinë e Shtetit, shërbimin pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe vullnetarët, të mbështetur nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 avionë “Air Tractor”. Në malin e Moravës, Devoll, puna vijon në pyll pishe pa rrezik për zonat e banuara. Në Mirditë janë aktive vatrat në Valcë–Tenë dhe Trojë me angazhimin e forcave vendore, vullnetarëve dhe efektivëve të FA-së; vatra në Vilëz, Kurbin, pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe një helikopteri të FA-së, është në monitorim. Në Vau të Dejës vijon shuarja e një vatre në pyll me pisha me MZSH, forcat bashkiake dhe mbështetjen e një automjeti zjarrfikës të FA-së.
AKMC dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara, si dhe izolimin dhe shuarjen sa më të shpejtë të vatrave aktive.

