Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një artikull të medias franceze BFM Business, që vë në dukje rritjen e interesit të turistëve francezë për Shqipërinë. Sipas artikullit, rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë u rritën me 288.2% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në vitin 2025 vendi priti mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë. Mediat franceze përmendin si faktorë kryesorë të këtij rritjeje çmimet më të përballueshme, përmirësimin e lidhjeve ajrore dhe peizazhet e ndryshme të vendit.
Artikulli nënvizon se Shqipëria është më e lirë krahasuar me destinacione si Greqia, Italia apo Kroacia; një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 8 euro në Shqipëri, kundrejt 12 euro në Kroaci, 15 në Greqi dhe 17 në Itali. Në faqet e rezervimeve, çmimi i një dhome për dy net thuhet se mezi arrin në 100 euro. Rritja e fluturimeve drejt Tiranës, përfshirë linjat ajrore low-cost, dhe përmirësimet graduale të infrastrukturës po e bëjnë vendin më të aksesueshëm dhe më të lehtë për t’u vizituar.
Si faktor të dytë tërheqës, artikulli përmend peizazhet: ujërat me ngjyrë turkez, male dhe fshatra të gurtë në kodra. Riviera Shqiptare, dhe veçanërisht Ksamil, përmenden si destinacione që tërheqin vëmendjen në rrjetet sociale për plazhet dhe ishujt e vegjël. Përveç plazheve, artikulli thekson se Shqipëria ofron edhe peizazhe malore dhe trashëgimi kulturore që magjepsin vizitorët.
Për të përballuar rritjen turistike, Shqipëria ka zbatuar që nga viti 2024 “Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030”. Kjo strategji synon rritjen e të ardhurave nga turizmi, përmirësimin e infrastrukturës hoteliere dhe mbrojtjen e mjedisit natyror nga rreziqet e mbipopullimit turistik. Artikulli e paraqet bumturizmin si një përfitim të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, pa dhënë shifra shtesë apo analiza të tjera.

