Mjetet inteligjente dhe dronët e Policisë së Shtetit kanë regjistruar një numër të lartë drejtuesish që kryejnë parakalime dhe tejkalime të shpejtësisë në mënyra të parregullta. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë një inspektimi njoftoi se uniformat blu duhet të kenë vëmendje të shtuar ndaj sigurisë rrugore dhe prezantoi shifra të evidentuara nga këto pajisje.
Sipas Hitës, gjatë një jave mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, me raste të dokumentuara të shpejtësive deri në 230 km/h. Për periudhën njëvjeçare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, rezultojnë 1.075 drejtues automjetesh të cilëve u është hequr leja e drejtimit pasi iu kanë mbaruar pikët e lejes. Njëkohësisht, policia ka proceduar 1.060 raste për mospasjen e lejeve të drejtimit. “Përgjatë kësaj jave, mjetet inteligjente kanë vendosur 1.100 masa administrative për shkelje të tejkalimit të shpejtësisë, që variojnë deri në 230 km/h. Ndërkohë, gjatë një viti, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë 1.075 drejtues automjetesh, të cilëve iu është hequr leja e drejtimit, pasi iu kanë mbaruar pikët e lejes së drejtimit. Njëkohësisht, kemi edhe 1.060 raste të proceduara për mospasjen e lejeve të drejtimit”, deklaroi Hita.
Hita theksoi se puna e policisë nuk synon vetëm ndëshkimin e shkelësve, por edhe edukimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit. “Nuk është në fokusin tonë që ne vetëm të evidentojmë shkelje, në fokusin tonë është të ndërgjegjësojmë qytetarët, të parandalojmë këto shkelje rrugore dhe të mos kemi aksidente fatale. Një rregull i respektuar është një jetë e shpëtuar”, u shpreh ai.
Si pjesë e veprimeve për rritjen e kontrollit të shkeljeve, Hita njoftoi se së shpejti do të vihen në funksion kamerat në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, të cilat do të integrohen në sistemin e Policisë për realizimin e një kontrolli më të saktë në rrugët kryesore interurbane. Burimi: Top Channel.

