Dy persona u arrestuan sot në Elbasan pas dy operacioneve policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”, të organizuara nga Komisariati i Policisë Elbasan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe në vijim të hetimeve të thelluara.
Në kuadër të operacionit “Last Fire” u ndalua me iniciativë shtetasi K., 43 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas dyshohet se më 07.08.2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse (benzinë) automjetin në përdorim nga shtetasi L. D., 26 vjeç, banues në Elbasan. Nga veprimet hetimore rezulton se i njëjti, i përmendur edhe si E. K., dyshohet të jetë autor edhe i djegies së dy automjeteve në pronësi të shtetasit E. H., më datë 28.06.2026.
Gjatë operacionit të koduar “Mbikëqyrja” u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi R., 32 vjeç, banues në Elbasan. Në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, gjatë kontrollit fizik, atij i u gjet një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë. Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi D. R. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arma e zjarrit, municioni luftarak dhe lënda narkotike u sekuestruan si prova materiale. Materialet procedurale lidhur me të dy ngjarjet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

