Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë disa orë deri në përfundim të afatit 30 ditor, të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, për të përmbyllur seancën konstituive. Njohësit e çështjeve juridike Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj bien dakord se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por ofrojnë interpretime të ndryshme për hapat pas tij.
Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se afati i 7 gushtit është absolut dhe se nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda tij, nuk do të ketë bazë kushtetuese që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin. Ai vlerëson se pas mesnatës deputetët nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë. Për Cakollin, ngërçi nuk ndikon vetëm te legjislativi: ministrat dhe zëvendësministrat e betuar si deputetë nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht funksione ekzekutivë, ndaj ai e konsideron Qeverinë në detyrë “pa legalitet dhe pa legjitimitet” dhe paralajmëron se vendimet e saj mund të kontestohen në gjykata. Si zgjidhje juridike ai propozon iniciimin e një rasti në Gjykatën Kushtetuese, por pranon se në aspektin politik epilogu mund të jetë i pashmangshëm dhe se zgjedhjet mund të jenë e vetmja rrugë për të dalë nga ngërçi.
Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, megjithatë, thekson se mungesa e përcaktimit të një sanksioni konkret mund të lejë mundësinë që seanca konstituive të thirret edhe pas 7 gushtit. Ai thotë se kryesuesi Dehari duhet ta thërrasë seancën edhe nëse kalon afati dhe shpreh rezerva për efikasitetin e një rasti të ri në Gjykatën Kushtetuese për zgjidhjen e krizës politike. Jakaj paralajmëron pasoja serioze nëse bllokada vazhdon, duke lidhur ngërçin me afatin prej gjashtë muajsh për ushtruesit e detyrës së presidentit — afat që mbyllet në fillim të tetorit. Ai nënvizon nevojën që partitë të arrijnë një marrëveshje për të lejuar konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, për të shmangur atë që e quan “anarki institucionale”.
Përveç ekspertëve, edhe organizata të shoqërisë civile, si Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), kanë bërë thirrje që konstituimi i Kuvendit të përfundojë brenda afatit kushtetues, duke kritikuar bllokimin me interesa partiake dhe duke kërkuar mos shtyrje të mëtejshme.

