Një 26-vjeçar afgan, kampion boksi në Greqi, Sharif Ahmadzai, akuzohet se vrau 38-vjeçaren britanike Elisabeth-Jane Ross në Athinë dhe më pas tentoi të mbyste gjurmët e krimit duke paraqitur një skenar tjetër. Sipas mediave greke dhe dokumenteve hetimore, trupin e Ross e fshehu në një valixhe dhe e vendosi brenda një ndërtese të braktisur në zonën e Kypselit. Hetuesit thonë se Ahmadzai përdori fillimisht telefonin e viktimës për t’u dërguar mesazhe familjarëve dhe miqve të saj, pastaj e fikuri pajisjen. Më vonë bleu një telefon tjetër dhe i dërgoi mesazhe disa personave, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, duke u paraqitur si një xhihadist anonim dhe pretenduar se gruaja ishte vrarë për shkak të përhapjes së fesë së krishterë. Policia e konsideron këtë veprim si përpjekje për të devijuar hetimet dhe për të fshehur autorin e vërtetë.
Nga dosja hetimore del se Ahmadzai akuzohet gjithashtu për grabitjen e kartave bankare të Ross dhe tërheqjen e mijëra eurove nga llogaritë e saj pas vrasjes. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person që ngjan me të duke shtyrë një valixhe të madhe në rrugët e Kypselit, dhe po ashtu duke tërhequr para nga bankomatet me kartat e viktimës; hetuesit besojnë se trupi ishte brenda valixhes. Ahmadzai pritet të dalë para gjykatës në Athinë, me akuza për vrasje, grabitje dhe armëmbajtje pa leje.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes pat bashkëshortja e tij, Alaina Hall, shtetase amerikane, e cila drejtonte së bashku me të një organizatë jofitimprurëse në Athinë për ndihmën ndaj refugjatëve. Ajo u bë dyshuese kur zbuloi mungesën e bashkëshortit më 16 korrik dhe përmes aplikacionit “Find My Friends” gjurmonte vendndodhjen e tij pranë apartamentit të viktimës. Hall tha hetuesve se ai i kishte dhënë 2.550 euro dhe një iPhone 17 Pro, për të cilët ajo dyshonte se ishin blerë me paratë e vjedhura nga llogaritë e Ross.
Ahmadzai kishte mbërritur në Greqi në 2016, u konvertua në krishterim në 2017 dhe u martua me Hall në prill 2023; së bashku themeluan organizatën “Love Every Nation”. Ai ishte edhe boksier profesionist, fitues i titullit kampion të Greqisë në kategorinë super të lehtë në mars. Elisabeth-Jane Ross kishte mbërritur në Athinë më 26 qershor për aktivitete vullnetare; trupi i saj u gjet më 18 korrik. Kisha “City on a Hill” në Edinburg, ku ajo ishte anëtare rreth 20 vjet, përshkroi humbjen e saj si një tragjedi, duke kujtuar angazhimin e saj misionar.

