Familja e pilotit britanik Andrew Hutchinson ka rrëfyer detaje nga mbijetesia e tij pas rrëzimit të helikopterit gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve në Greqi. 48-vjeçari ishte një nga të mbijetuarit e përplasjes mes dy helikopterëve rreth 65 kilometra në perëndim të Athinës. Aksidenti i mori jetën një piloti danez dhe një oficeri ndërlidhës të Shërbimit grek të Zjarrfikësve.
Hutchinson, zjarrfikës ajror dhe pronar i një kompanie helikopterësh në Northallerton, Yorkshire, ndodhej në Greqi për të ndihmuar në luftën kundër zjarreve të mëdha që kanë përfshirë vendin. Sipas familjes, helikopteri u rrëzua në një zonë pyjore dhe ai me oficerin grek që ishte me të arritën të dilnin nga mjeti vetëm pak sekonda para se ai të shpërthente në flakë. Xhaxhai i tij, Michael Hutchinson, e përshkroi mbijetesën si “të mrekullueshme” dhe tha se telefoni i tij u dogj plotësisht dhe mbeti brenda helikopterit.
Piloti me përvojë, baba i tre fëmijëve, po rikuperohet në një spital në Athinë, ku iu nënshtrua një operacioni për shkak të një dëmtimi në shpinë. Michael Hutchinson kujtoi edhe një moment nga trajnimi i nipit teksa mësonte autorotacionin, uljen e helikopterit pa fuqi motori: “Ai më tha: ‘Do ta fik motorin’. U tremba, por ai e uli helikopterin në mënyrë perfekte. Ka fluturuar për shumë vite dhe është një pilot jashtëzakonisht i kujdesshëm.”
Andrew Hutchinson ka ndërtuar një karrierë të gjatë në operacione ajrore të specializuara në mbarë botën, duke marrë pjesë në misione për shuarjen e zjarreve, ndërtim dhe shpëtim. Përmendet se kohët e fundit ai kishte ndihmuar edhe në shuarjen e zjarreve në Uells dhe punonte rregullisht në Australi. Bashkëshortja e tij, Dawn, dhe tre fëmijët kanë udhëtuar drejt Athinës për të qenë pranë tij gjatë rikuperimit.
Sipas Shërbimit Grek të Zjarrfikësve, dy helikopterët ishin marrë me qira nga kompania australiane McDermott Aviation dhe po merrnin pjesë në shuarjen e një zjarri të madh në kufirin mes rajoneve të Atikës dhe Beotisë. Familjarët shprehen të bindur se aksidenti nuk do ta ndalojë Hutchinson nga fluturimi: “Jo, ai nuk do të ndalet. Asgjë nuk do ta ndalojë të fluturojë përsëri”, tha xhaxhai i tij.

