Flakët që përfshinë disa fshatra të Bashkisë së Finiqit krijuan një situatë dramatike, duke rrezikuar banesat, resortet turistike dhe qindra hektarë me ullishte. Për më shumë se gjashtë orë banorët luftuan krah për krah me forcat zjarrfikëse për të mbrojtur shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa ndërhyrja nga ajri me tre helikopterë Cougar bëri të mundur frenimin e zjarrit.
Korrespondentja e Top Channel, Entjola Budo, raporton se zjarri, i favorizuar nga era e fortë, u përhap me shpejtësi nga zona kodrinore e Matomares drejt fshatrave Kostar, Mesopotam dhe Vllahat. Në Kostar flakët zbritën deri pranë zonave të banuara dhe hynë brenda në oborret e shtëpive; banorët përdorën mjete rrethanore për të ndaluar përhapjen deri në mbërritjen e helikopterëve, që sipas tyre ishin vendimtarë për evitimin e një tragjedie.
Gjendja ishte gjithashtu problematike në Mesopotam dhe Vllahat, ku forcat zjarrfikëse u vendosën pranë banesave për të penguar avancimin e flakëve. Krahas ndërhyrjes tokësore, tre helikopterët Cougar kryen hedhje të njëpasnjëshme uji, duke neutralizuar vatrat më të rrezikshme dhe lehtësuar punën e ekipave në terren.
Ne vendngjarje ishin prefektja e qarkut, drejtori i përgjithshëm i zjarrfikëseve dhe kryebashkiakët, të cilët thanë se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Edhe pse rreziku për banesat u shmang, pasojat mbeten të rënda: sipërfaqe të mëdha ullishtesh u shkrumbuan dhe pronarët kërkojnë kompensim për dëmet.
Banorët kërkojnë gjithashtu masa konkrete për pastrimin e territorit dhe përmirësimin e infrastrukturës, me synim parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen. Autoritetet përqendruan të gjitha forcat në mbrojtjen e jetës dhe të banesave gjatë operacionit, ndërsa ndërhyrja ajrore rezultoi kyçe për neutralizimin e flakëve më të rrezikshme.

