UEFA njoftoi se ka humbur besimin te drejtimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe për dështim në mbajtjen e premtimeve, pas tërheqjes së FIFA-s nga plani për shitjen e aksioneve në kompeticionet e saj te investitorë privatë. Vendimi i FIFA-s u bë publik të shtunën nga vetë Infantino, i cili konfirmoi se projekti nuk do të vazhdojë. Më parë, UEFA kishte paralajmëruar se do të bojkotonte Kupat e Botës nëse plani do të miratohej, ndërsa kundërshtime kishin shprehur edhe konfederata të tjera.
Në një deklaratë të gjatë, UEFA e vlerësoi tërheqjen e projektit si “një fitore për të gjithë futbollin”, por theksoi se kjo nuk mjafton për të rikthyer besimin ndaj drejtuesve të FIFA-s. Organizmi europian thekson se drejtimi aktual i FIFA-s ka humbur jo vetëm besimin e UEFA-s, por edhe të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit. UEFA rikujtoi premtimet që Infantino bëri gjatë fushatës për president të FIFA-s në vitin 2016, kur premtoi transparencë dhe deklaroi se fondet e FIFA-s duhej t’i shërbenin zhvillimit të futbollit, dhe vuri në dukje se këto premtime nuk janë mbajtur.
UEFA kritikon marrëveshjen që u përgatit, duke e përshkruar si të zhvilluar “prapa dyerve të mbyllura” dhe tërësisht jo transparente. Plani i FIFA-s u përball me kundërshtime të forta edhe nga CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), të cilat mbështetën qëndrimin e UEFA-s kundër shitjes së aksioneve te investitorët privatë.
Pas përplasjes rreth projektit, këshilltari i lartë i Infantinos për strategjinë globale, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen. Ai e komentoi projektin si “një marrëveshje të keqe për futbollin” dhe si diçka që do të rrezikonte të ardhmen e sportit. Ndërkohë, megjithë tërheqjen e projektit, UEFA përsëriti se kthimi i besimit te drejtuesit e FIFA-s kërkon hapa të mëtejshëm dhe nuk mjafton anulimi i vetëm i kësaj marrëveshjeje.

