Qeveria miratoi projektvendimin që vendos shënjimin e detyrueshëm të karburanteve, me qëllim monitorimin e lëvizjes së tyre në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit dhe luftimin e evazionit fiskal. Çdo litër naftë dhe benzinë që do të hidhet në treg do të ketë një gjurmë të padukshme të bashkëngjitur.
Ministria e Financave përshkruan sistemin: “Sistemi i integritetit të karburanteve (Fuel Integrity Solution) është një sistem i integruar që mundëson monitorimin, kontrollin dhe gjurmueshmërinë e karburanteve përgjatë zinxhirit të furnizimit, ndërsa të dhënat janë pronë e shtetit dhe autoritetit doganor me qëllim garantimin e cilësisë, integritetit dhe ligjshmërisë së tyre.”
Shërbimin e shënjimit do ta kryejë shoqëria ALBTrace CO. Në dokument përcaktohet se kompanitë që importojnë apo tregtojnë karburante do të paguajnë tarifën përkatëse; çmimi i shërbimit të shënjimit është 6.5 euro pa TVSH për 1 000 litra të shënjuara. Sipas projektvendimit, “ALBTrace CO sh.a.” është ofruesi i angazhuar nga qeveria për realizimin e komponentit teknik dhe operativ të sistemit, përfshirë sigurimin dhe përdorimin e pajisjeve dhe instrumenteve përkatëse, kryerjen e testeve në terren dhe testeve konfirmuese, si dhe mbështetjen e proceseve të monitorimit në autoritetin dhe nën mbikëqyrjen e administratës doganore.
Projektvendimi ndalon tregtimin, importimin, transportimin apo magazinimin e karburanteve që nuk janë shënjuar sipas procedurave të reja. Pas procesit të shënjimit, çdo ngarkesë do të pajiset me certifikatë. Administrata doganore do të kryejë monitorime dhe kontrolle në terren për të verifikuar zbatimin e sistemit.
Regjimi i ri parashikon një periudhë implementimi deri në gjashtë muaj. Pas përfundimit të kësaj faze, asnjë karburant që i nënshtrohet sistemit nuk do të mund të hidhet në treg pa kaluar procesin e detyrueshëm të shënjimit dhe monitorimit.

