Refit Buzi (Nertil), i cili vrau ish-vjehrrin dhe më pas veten, pas kthimit nga Anglia kishte tentuar të riniste jetën në Shqipëri duke u marrë me import-eksport të fruta-perimeve. Kundër tij kishte nisur një procedim penal për “Mashtrim”, dhe është zbardhur dëshmia që ai kishte dhënë para policisë gjyqësore.
Sipas deklarimit të tij, Buzi kishte jetuar 3–4 vjet në Angli dhe në vitin 2024 ishte rikthyer për të vepruar si ndërmjetës në sigurimin e tregut për eksportuesit shqiptarë të fruta-perimeve, aktivitet që kryhej pa NIPT dhe pa licencë. Ai arriti marrëveshje me bashkëpunëtorët shqiptarë S. H. dhe F. R. për të dërguar mallra te një kompani në Angli me administrator shtetasin turk B. G. Më 23.04.2024 rezulton një faturë shitjeje me vlerë 31,872 paund, dhe më 28.04.2024 një faturë tjetër me vlerë 32,177 paund, të dyja të fiskalizuara. Autoritetet raportuan mospërputhje mes deklarimeve të Buzi, S. H. dhe F. R. lidhur me pagesat e këtyre shumave.
Në dëshminë e tij të dhënë më 27.12.2024, Buzi shpjegoi se në fillim kishte vepruar si person fizik dhe që veprimet praktike i kryente kompania e S. H., e licensuar. Ai tha se më vonë kishte hapur NIPT dhe ishte licensuar, por deri atëherë nuk kishte bërë asnjë rrugë apo kontratë të shkruar; marrëveshjet ishin gojore dhe përfitimet do të ndaheshin barazisht pas shpenzimeve. Ai ruante disa biseda në Whatsapp si provë.
Buzi përshkroi dërgimin e ngarkesave: më 23.04.2024 ngarkesa e parë u ngarkua në mjet të drejtuar nga I. K., me kosto transporti rreth 6,500 euro, për të cilën S. H. pagoi 7,000 euro. Më 28.04.2024 ngarkesa mbërriti në Angli dhe firma blerëse plotësoi dokument që nuk kishte pretendime për çmimin ose cilësinë. Në dërgesë të dytë ai bashkëpunoi me një shoqëri tjetër nga Lushnja; pronari i firmës angleze i dërgoi pagesa për transport dy herë nga 2,000 paund dhe pjesën tjetër premtuan ta jepnin brenda 28 ditëve pas shitjes. Buzi deklaroi se në total nga B. G. kishte marrë 13,400 paund, por paratë për shumën më të madhe të ngarkesave nuk u transferuan në llogarinë e S. H.
Ai tha se pas vonesave dhe justifikimeve të B. G., S. H. kërkoi pagesa duke e konsideruar atë garant; sipas Buzi, B. G. pretendonte se çmimet ishin ulur dhe tentonte të paguante shumë më pak se vlera e ngarkesave (p.sh. vlera 31,700 paund kundrejt ofertës për 9,200 paund). Buzi pranoi se ai kishte marrë vetëm paratë e transportit dhe se shoqëria tjetër kishte hapur proces gjyqësor në Angli kundër B. G. për të kërkuar pagesat. Top Channel.

